FLASH :

Më shumë izraelitë vënë në dyshim moralitetin e luftës në Gaza

The Wall Street Journal

Më shumë izraelitë po vënë në dyshim moralitetin e luftës në Gaza
Kriza humanitare thellohet, thirrjet për përfundimin e luftës rriten në qendër dhe të majtë

Në Tel Aviv dhe qytete të tjera të Izraelit po dëgjohet gjithnjë e më shumë zëri i atyre që kërkojnë përfundimin e luftës në Gaza, ndërsa kriza humanitare në territorin palestinez përkeqësohet dita-ditës. Protestuesit po mbajnë postera me imazhe të fëmijëve të uritur nga Gaza, ndërkohë që figura të njohura publike, përfshirë artistë, akademikë dhe ish-zyrtarë të lartë të sigurisë, kanë nisur të flasin hapur kundër vazhdimit të luftës që zgjat prej gati dy vitesh.

Një deklaratë e përbashkët nga shumica e ish-drejtorëve të ushtrisë, Mossad-it, Shabak-ut (shërbimit të brendshëm) dhe policisë i bëri thirrje qeverisë izraelite që të përfundojë menjëherë luftën kundër Hamasit, duke e quajtur atë “të pajustifikueshme” në fazën aktuale. Po ashtu, mbi 1,000 artistë izraelitë nënshkruan një peticion që dënon vrasjen e civilëve dhe fëmijëve në Gaza, ndërsa figura të njohura si shkrimtari David Grossman dhe një ish-nënkryetar i Mossad-it e kanë quajtur luftën “gjenocid”.

Shifrat nga autoritetet shëndetësore të Gazës tregojnë mbi 60,000 viktima deri tani, shumica dërrmuese prej tyre civilë dhe fëmijë. Presioni publik është rritur edhe ndaj mediave, me protesta përpara studios së Channel 12, kanali më i ndjekur në Izrael, duke kërkuar mbulim më të drejtë të vuajtjeve palestineze. Edhe vetë moderatorja e njohur Yonit Levi, në një deklaratë të pazakontë, e quajti reagimin ndërkombëtar ndaj Izraelit “dështim moral”, jo vetëm diplomatik.

Sondazhet tregojnë se ndjeshmëria ndaj gjendjes në Gaza vjen kryesisht nga e majta dhe qendra politike izraelite. Sipas një sondazhi të fundit nga Instituti i Demokracisë në Izrael, 70% e të majtëve dhe 32% e qendrës janë personalisht të shqetësuar nga raportimet për urinë dhe vuajtjen në Gaza, ndërsa vetëm 6% e të djathtës ndajnë të njëjtën ndjeshmëri. Mbështetësit e krahut të djathtë të Netanyahut, megjithatë, vazhdojnë të mbeten kryesisht të pandryshuar në qëndrimin e tyre.

Ndërkohë, protestat po shtohen edhe në mesin e qytetarëve arabë izraelitë, të cilët përbëjnë rreth 20% të popullsisë. Pas muajsh frike dhe shtypjeje policore ndaj çdo akt solidariteti me Gazën, ata kanë filluar të dalin hapur në rrugë, siç tregoi edhe protesta e organizuar në Jaffa nga këshilltari bashkiak Amir Badran. “Njerëzit nuk përmbahen më, sepse nuk e mbajnë dot më brenda,” tha ai, duke paralajmëruar se reagimi i shoqërisë ndaj asaj që po ndodh në Gaza mund të hyjë në një fazë të re.

Ndërsa bisedimet për armëpushim mbeten në ngërç dhe rreth 20 pengje izraelite ende ndodhen në duart e Hamasit, shumë analistë vlerësojnë se shfaqja e kësaj ndjeshmërie morale në opinionin publik izraelit është një “tërmet” që po detyron edhe klasën politike të përballet me realitetin e ashpër të luftës.