Një influencuese trup-madh nga Miami ka ndarë një përvojë të pakëndshme gjatë udhëtimit të saj në Monako, një nga destinacionet më luksoze në Europë, ku thotë se u përball me “shikime të pista” dhe komente fyese për pamjen e saj fizike.
Alex Aspasia, 30 vjeçe dhe me më shumë se 700 mijë ndjekës në Instagram e TikTok, tha se turistët e pasur në Monako e shihnin me habi dhe përçmim për shkak të peshës së saj, ndërsa një burrë e quajti “big mama” dhe disa të tjerë i kërkuan të bëjnë fotografi me të. “Dukej sikur askush nuk ishte mësuar të shihte dikë si unë, me vetëbesim, në një vend elitë ku standardi i bukurisë është të jesh i hollë”, u shpreh ajo për What’s The Jam.
Pavarësisht komenteve negative dhe reagimeve të çuditshme nga të tjerët, Alex tha se do të vazhdojë të udhëtojë, duke e quajtur udhëtimin një “përvojë të rëndësishme jetësore”. Në video virale ku shfaqet duke ecur me një fustan të ngushtë në hollin e një hoteli luksoz, ajo i përgjigjet urrejtjes me një buzëqeshje: “Një vajzë e vogël më tha se dukesha si princeshë, kështu që nuk ka rëndësi çfarë mendojnë të tjerët.”






