Një 19-vjeçar është arrestuar nga Policia e Tiranës pasi u kap duke qarkulluar me armë zjarri në automjetin e tij dhe tentoi t’i shpëtonte ndalimit nga efektivët.
Burime zyrtare bëjnë me dije se i riu, i identifikuar si Alger Tarko, u ndalua nga shërbimet e Policisë pasi lëvizjet e dyshimta të tij tërhoqën vëmendjen e patrullave në terren. Në momentin e identifikimit, Tarko ka tentuar të largohet me automjet, por është neutralizuar në kohë.
Gjatë kontrollit, policia i ka sekuestruar një armë zjarri të tipit pistoletë me municion dhe mjetin me të cilin po lëvizte.
Hetimet janë në vijim për të zbuluar nëse 19-vjeçari ka lidhje me ndonjë aktivitet kriminal apo persona të përfshirë në ngjarje të tjera të rënda.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se një shtetas qarkullonte me automjet, i armatosur, organizuan dhe finalizuan operaconin policor të koduar “Golden Gun”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
A. T., 19 vjeç, banues në Zall Mner.
Gjatë operacionit, në Kamëz, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar automjetin me të cilin qarkullonte shtetasi A. T. dhe i kanë bërë shenjë ndalimi. Ai nuk është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por si rezultat i veprimeve të shpejta policore është kapur dhe vënë në pranga.
Gjatë kontrollit në automjetin e 19-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.