Një emigrant maroken, Hamid Badoui 42-vjeç që do të dërgohej nga Italia në Shqipëri i ka dhënë fund jetës.
“Vdekja e tij është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave strukturore të izolimit dhe përjashtimit që prekin njerëzit me prejardhje migratore.”- thotë organizata për azil dhe emigracion në shtetin fqinj.
“Modeli Shqipëri” – i promovuar nga qeveria italiane si një mjet inovativ për menaxhimin e migracionit – e thellon edhe më shumë këtë logjikë: struktura jashtë territorit kombëtar, izolim gjeografik, akses i vështirë dhe i kufizuar në garancitë ligjore, pengesa për të drejtën në kujdes shëndetësor, ndalim administrativ i përhapur dhe i përdorur në mënyrë ndëshkuese, në vend që të jetë një masë e fundit siç parashikohet nga e drejta ndërkombëtare.
“Në Qendrat e Kujdesit Shëndetësor (CPR) në Itali dhe në qendrat e reja në Shqipëri, njerëzit jetojnë në kushte degraduese, pa qasje në kujdesin e duhur, në një klimë braktisjeje të vazhdueshme dhe mungesë informacioni. Protestat, vetëlëndimi dhe vetëvrasjet janë simptomat më të dukshme të një sistemi të projektuar për të izoluar dhe ndëshkuar.
Vdekja e Hamid Badoui është pasojë e drejtpërdrejtë e një sistemi politik që përdor frikën dhe shtrëngimin si mjete për (mos)menaxhimin e lëvizshmërisë njerëzore. Shndërrimi në ligj i dekretit të ri të Shqipërisë që u bë dje nëpërmjet votëbesimit në Senat konfirmon strategjinë e qeverisë për t’u përqendruar në politika që nuk respektojnë të drejtat themelore të njeriut, në sajë të një qasjeje thjesht propagandistike” thuhet në deklaratë.
Amnesty International Italia kërkon ndërprerjen e transfertave drejt Shqipërisë, një hetim të pavarur mbi përgjegjësitë institucionale që lidhen me vdekjen e Hamid Badoui dhe të gjitha shkeljet sistemike në qendrat e paraburgimit administrativ.
Në deklaratë kërkohet hapja e një debati publik mbi dështimin e masave të paraburgimit administrativ dhe politikave të zhvendosjes së paraburgimit dhe mbi nevojën për modele alternative, të bazuara në pritje, të vërtetë, drejtësi dhe të drejta. Italia dhe BE-ja kanë nevojë për politika të drejta dhe të zbatueshme, jo për propagandë.
“Sa herë që një qenie njerëzore i jep fund jetës së vet për të shmangur përfshirjen në këtë sistem, ne përballemi me dështimin rrënjësor të politikave publike të zbatuara ndaj njerëzve me prejardhje migrante . Të vazhdosh të mbështesësh “modelin shqiptar” do të thotë të jesh bashkëfajtor në një regjim ndalimi dhe refuzimi që prodhon përjashtim, vuajtje, vdekje” mbyllet deklarata.