Erika Kirk, bashkëshortja e aktivistit të njohur konservator amerikan Charlie Kirk, ka mbajtur një fjalim emocional dhe rrëqethës mbrëmjen e së premtes, vetëm pak ditë pas vrasjes tragjike të burrit të saj. Duke folur për herë të parë në publik pas atentatit, Erika preku zemrat e miliona ndjekësve teksa u zotua se do të vazhdojë rrugën e nisur nga bashkëshorti i saj.
Fjalimi u mbajt pranë studios ku Charlie Kirk regjistronte podcastin e tij. Një karrige bosh qëndronte pranë saj vendi ku ai ulej gjithmonë për të folur me publikun e tij. Erika nisi fjalën e saj me një lutje të heshtur dhe e vazhdoi mes lotësh, duke falënderuar mbështetësit, familjarët dhe liderët politikë që qëndruan pranë saj pas humbjes.
“Charlie, premtoj se kurrë nuk do ta lë të vdesë trashëgimia jote, zemra ime. Turning Point USA do të bëhet gjëja më e madhe që ka parë ndonjëherë ky vend,” – deklaroi ajo me vendosmëri.
Ajo falënderoi personalisht presidentin Donald Trump dhe Zëvendës Presidentin JD Vance për mbështetjen që i dhanë në momentet më të vështira. Trupi i Charlie Kirk u soll në Arizona me avionin presidencial Air Force Two, me ndihmën e Zëvendës Presidentit dhe bashkëshortes së tij.
Në një nga momentet më prekëse të fjalimit, Erika tregoi një bisedë me vajzën e tyre 3-vjeçare, e cila e pyeti: “Ku është babi?” Erika, me zë të ngjirur, u përgjigj:
“Zemër, babi është në një udhëtim pune me Jezusin. Ai mund të përballojë buxhetin tënd për boronica.”
Gjatë fjalimit, Erika vlerësoi dashurinë e Charlie për familjen, jetën dhe Amerikën. Ajo e quajti atë “baba i përsosur” dhe tha se çdo ditë e bënte të ndjehej e dashur. Ajo mbante një varëse me kryq dhe theksoi besimin e thellë që e ndihmoi të përballonte dhimbjen.
“Burri im e dha jetën për mua, për fëmijët tanë, për kombin tonë. Tani ai është pranë Jezusit, i mbuluar me lavdinë e një martiri,” – tha ajo.
Erika u zotua se fushatat në universitetet amerikane dhe podcasti i Charlie-t do të vazhdojnë, madje me më shumë intensitet se kurrë më parë. “Ai kurrë nuk u dorëzua. Edhe ne nuk do të dorëzohemi,” u shpreh ajo me vendosmëri.
Duke iu drejtuar personave përgjegjës për atentatin, ajo tha:
“Nuk keni asnjë ide se çfarë keni ndezur brenda kësaj gruaje. Britma e kësaj e veja do të dëgjohet si një thirrje beteje në të gjithë botën. Ju nuk e ndalët misionin e tij, përkundrazi e fuqizuat.
Charlie Kirk u vra disa ditë më parë gjatë një aktiviteti në Utah, ku po mbante një fjalim në universitet. Policia ka arrestuar të dyshuarin kryesor, 22-vjeçarin Tyler James Robinson, i cili do të përballet me akuza të rënda për vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Ai aktualisht mbahet në paraburgim pa të drejtë lirimi me kusht.
Donald Trump ka konfirmuar se do të marrë pjesë në funeralin e Kirk dhe se do ta nderojë atë pas vdekjes me Medaljen Presidenciale të Lirisë, çmimi më i lartë civil në SHBA.