FLASH :

“Më jep para ose t’i nxora fotot në TikTok”, prangoset 27-vjeçari shantazhues në Tiranë

Një person është arrestuar dhe një tjetër është duke u proceduar penalisht në Tiranë, nga operacioni policor i koduar “Imazhi”.

Sipas njoftimit të policisë, mësohet se shtetasi Fadil Tafa, 27 vjeç në bashkëpunim me shtetasen L. M., 25 vjeçe, kanë shantazhuar një 33-vjeçar duke i hapur adresë në plaftormën “TikTok”.

Ndërsa më pas i kanë kërkuar 1000 euro për fshirjen e fotove dhe shkrimeve që shpërndanin për të.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Imazhi”.

Kanosën një 33-vjeçar, që t’iu jepte 1000 euro, për të fshirë foto/shkrime mbi jetën private të tij, nga rrjeti social “Tik Tok”, vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohet penalisht një tjetër.

Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Imazhi”.

Si rezultat i operacionit u arrestua shtetasi F. T., 27 vjeç, si dhe u procedua penalisht shtetasja L. M., 25 vjeçe, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur një 33-vjeçar, për dhënien e shumës 1000 euro, që të fshinin disa foto/shkrime të jetës së tij private, nga rrjeti social “Tik Tok”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.