Blendi Gonxhe, ish-nënkryetari i Bashkisë Tiranë, i cili u dorëhoq, pas përmbytjes së Tiranës së Re, si pasojë e hapjeve të portave të digës së Liqenit Artificial, i rikthyer në politikë nga Edi Rama pas shumë vitesh dhe i katapultuar deri në funksionin e ministrit të Ekonomisë, ka qenë kandidati për deputet më i votuar nga lista e hapur e PS.
Troç solli burime brenda PS që treguan për garën e ethshme që ai ka me Belinda Ballukun, se cili nga të dy do të fitojë zemrën e Ramës për të kandiduar për kryetar bashkie.
Nga rezultati i zgjedhjeve të fundit, u kuptua se edhe nëse do të vendoste një gomar si kandidat dhe jo njëri, PS do ta fitonte bashkinë, e jo më po të konkurrojnë Blendi apo Bela.
Megjithatë beteja e tyre personale është e pamëshirshme.
Gonxhe është treguar më i shkathët dhe ka thirrur i pari një konferencë për shtyp sot, ku do të shpallë triumfin personal dhe do të fiksojë në memorien kolektive se është një ujk votash.
Sigurisht pa pëlqimin e Ramës nuk do ta bënte dot.
Ndaj tashmë mund ta themi pa droje se kanakari i kryetarit është Gonxhja, ndaj s’na mbetet gjë tjetër veçse ta urojmë kryetarin e ardhshëm të Bashkisë më të madhe në vend.