Lideri i “Partia Mundësia”, Agron Shehaj, ka zgjedhur një qasje ndryshe nga fushatat tradicionale politike, duke iu afruar qytetarëve në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ditët e fundit, Shehaj ka publikuar disa video në profilin e tij në Facebook, ku shihet duke marrë pjesë aktivisht në punën e përditshme të qytetarëve. Dy ditë më parë, ai vizitoi një furrë buke, ku jo vetëm që punoi bashkë me punonjësit, por gjithashtu shkëmbeu batuta me klientët dhe bisedoi për sfidat me të cilat përballen bizneset e vogla ditët e sotme.
Një nga momentet që ka tërhequr më shumë vëmendje ishte përgjigja e Shehajt ndaj një qytetari në komentet e tij në rrjetet sociale. I pyetur nëse do të vizitonte një biznes të caktuar, Shehaj u përgjigj:
“Ditmir, absolutisht po, më shkruaj tek ky numër… Jo vetëm kaq, por ju ftoj të gjithëve të më ftoni tek biznesi juaj, tek puna juaj. Nuk dua të vij të shoh sesi punoni, dua të vij të punoj me ju. Historia juaj, historia e sakrificës suaj dhe sesi ja keni dalë në jetë është shembulli më i mirë për Shqipërinë dhe është e vetmja e ardhme për Shqipërinë. Për këtë duhet të flasim. Për punën, sesi mund t’ia dalësh në Shqipëri me punë të ndershme. Më ftoni, do vij!”
Pas vizitës në furrën e bukës, Agron Shehaj ka zgjedhur të punojë edhe si shofer taksie, duke përçuar mesazhin se me punë të ndershme mund të arrihet suksesi edhe në Shqipëri.
“Dje punova në një furrë buke, sot po punoj si shofer taksie duke dëgjuar historitë dhe shqetësimet e njerëzve të këtij vendi. Besoj se Shqipëria mund t’ia dalë vetëm me punë të ndershme, ndaj jam këtu për ta dëgjuar secilin prej jush!”
Me këtë qasje, ai po shfaqet jo vetëm si një politikan i afërt me njerëzit, por edhe si një lider që e vendos punën e ndershme dhe përkushtimin në qendër të vëmendjes. Fushata e tij ka marrë vlerësime për mënyrën e komunikimit me qytetarët, duke sjellë një model të ri afrimiteti dhe angazhimi politik.