Martesa e Justin dhe Hailey Bieber është rikthyer në qendër të vëmendjes, pas një postimi të pazakontë të këngëtarit në Instagram. Në vend që të uronte bashkëshorten për suksesin e saj më të fundit – kopertinën e parë për revistën Vogue – ylli i popit vendosi të ndajë një moment tensioni nga jeta e tyre private.
Në mbishkrimin që shoqëronte foton e Hailey-t në Vogue, Justin pranoi publikisht se dikur i kishte thënë me zemërim se ajo “nuk do të ishte kurrë në kopertinën e kësaj reviste të famshme”. “E di, ishte shumë keq”, shkroi këngëtari fitues i çmimit Grammy, duke shtuar: “Zemër, ti e di tashmë, por më fal që të thashë se nuk do të dilje kurrë në kopertinën e Vogue, sepse padyshim që gabohesha”.
Por ajo që tërhoqi edhe më shumë vëmendjen ishte fakti se pak orë më vonë, Justin ndryshoi tërësisht përshkrimin, duke e zëvendësuar me një sërë emojish pa asnjë tekst. Ky veprim ngjalli reagime të menjëhershme nga fansat, të cilët spekuluan se postimi kishte shkaktuar tensione të tjera mes çiftit.
Të njëjtën ditë, Bieber publikoi një tjetër imazh të çuditshëm: një krijesë deti ngjyrë rozë me përshkrimin: “Në ditë të vështira, këto krijesa të vogla dhe të rralla më sjellin pak gëzim”. Postimi u interpretua nga ndjekësit si një shenjë e gjendjes së trazuar emocionale të këngëtarit.
Ndërkohë, thashethemet për një krizë martesore mes dyshes kanë marrë hov muajt e fundit. Në intervistën e saj të fundit për Vogue, Hailey u përpoq t’i shuajë spekulimet, duke mohuar çdo pretendim për ndarje.








