Richard Grenell, ish-i dërguari i posaçëm i Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, po shijon pushimet e verës në jug të Shqipërisë, në zona ekskluzive buzë detit. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ai tregon se ndodhet në Shqipëri, duke ndarë momente relaksi me miqtë e tij amerikanë.
Në postimin e tij, Grenell ka shkruar shkurt “Shqipëria me amerikanë”, teksa prezanton miqtë që po qëndrojnë me të dhe shfaqet i entuziazmuar për bukuritë e vendit. Ai shihet në ambiente luksoze, nëpër jahte, restorante të njohura dhe vende elitare të rivierës shqiptare.
Edhe pse jashtë detyrës zyrtare që nga përfundimi i administratës Trump, Grenell vijon të mbajë vëmendjen te zhvillimet në Ballkan. Vetëm pak javë më parë, ai reagoi publikisht në mbështetje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke theksuar se arrestimi i tij në vitin 2020 ishte vendim i prokurorit Jack Smith, në një kohë kur administrata Trump punonte për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Grenell vazhdon të jetë një zë aktiv në politikën e jashtme amerikane dhe një ndjekës i rregullt i çështjeve në rajonin e Ballkanit, ku ka krijuar lidhje të ngushta me liderët kryesorë politikë.