FLASH :

Më 16 shtator konferenca e 6-të Ndërqeveritare me BE, Hapen 4 kapituj të tjerë negociatash me BE

Shqipëria do të hapë më 16 shtator edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropianë. Vendi ynë do të mbajë të martën, me ftesë të Danimarkës, Konferencën e 6-të Ndërqeveritare me BE.

Takimi do të shërbejë për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi Grupin 4 ‘Axhenda e gjelbër dhe lidhshmëria e qëndrueshme’, duke përfshirë Kapitullin 14 (politika e transportit), 15 (energjia), 21 (rrjetet trans-evropiane) dhe 27 (mjedisi dhe ndryshimet klimatike).

Në tryezë janë Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme, mbi fusha te rëndësisë jetike, si Transporti, Energjia, Rrjetet Transeuropiane dhe Mjedisi.

Më 22 maj u mbajt në Bruksel Konferenca e pestë Ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kjo konferencë shërbeu për të hapur negociatat me Shqipërinë mbi grup-kapitullin 3 “Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, i cili përfshin: Kapitullin 10 – Transformimi digjital dhe media; Kapitullin 16 – Taksat; Kapitullin 17 – Politika ekonomike dhe monetare; Kapitullin 19 – Politika sociale dhe punësimi; Kapitullin 20 – Politika për ndërmarrjet dhe industrinë; Kapitullin 25 – Shkenca dhe kërkimi; Kapitullin 26 – Arsimi dhe kultura; Kapitullin 29 – Bashkimi doganor

Më 24 mars 2020 ministrat për Çështjet Evropiane dhanë miratimin politik për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky vendim u miratua me procedurë të shkruar dhe u mbështet nga Këshilli Evropian.

Më 19 korrik 2022  u mbajt Konferenca e parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që shënoi zyrtarisht hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Më 15 tetor 2024  u mbajt Konferenca e dytë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 1 – Themelorët.

Më 17 dhjetor 2024 u mbajt Konferenca e tretë, ku u hapën negociatat për Grup-kapitullin 6 – Marrëdhëniet e jashtme.

Më 14 prill 2025 u mbajt Konferenca e katërt, e cila u fokusua në Grup-kapitullin 2 – Tregu i brendshëm, dhe ku BE vendosi gjithashtu kriteret për mbylljen e përkohshme të kapitujve të këtij grupi.