‘Ylli’ i UFC-së, Conor McGregor, synon të kandidojë për president të Irlandës, por përballë tij qëndron një pengesë e madhe: ai nuk ka përmbushur ende kriteret ligjore për t’u futur në listën e kandidatëve. Kandidatura e tij, e bazuar në një platformë populiste dhe kundër immigracionit, kërkon mbështetjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve që të kontaktojnë këshilltarët lokalë për t’i siguruar nominimin.
McGregor publikoi sot një video jashtë ndërtesave qeveritare në Dublin, ku rikonfirmoi qëndrimet e tij kundër politikave aktuale të vendit dhe premtimin për të adresuar rritjen e fëmijëve pa strehë në Irlandë nëse zgjidhet president. Në mesazhin e shoqëruar me videon, ai u bëri thirrje mbështetësve të kontaktojnë këshilltarët lokalë për t’ia siguruar nominimin.
Sipas ligjit zgjedhor irlandez, çdo qytetar duhet të jetë të paktën 35 vjeç dhe të nominohet nga të paktën 20 anëtarë të Oireachtas (parlamenti i Irlandës) ose nga të paktën katër autoritete lokale për t’u futur në listën zgjedhore. McGregor, i cili fillimisht deklaroi më 27 gusht se kishte siguruar nominimin, tani kërkon ndihmë publike për ta arritur këtë. Ai u shpreh se këshilltarët lokalë janë shtylla kurrizore e komuniteteve dhe duhet të përfaqësohen më mirë.
Kandidatura e McGregor konsiderohet si “longshot” për shkak të mungesës së tij të përkatësisë partiake dhe historisë së tij të ngarkuar ligjërisht. Ai ka qenë i përfshirë në disa çështje serioze ligjore, përfshirë një gjykim civil në Dublin në 2024, ku u gjet përgjegjës për sulm seksual dhe u detyrua të paguante afërsisht 250,000 euro. Po ashtu, ai është paditur edhe për një rast tjetër të sulmit seksual pas finales së NBA-së në 2023 dhe ka pranuar fajësinë për një sulm ndaj një të moshuari në Dublin në 2019.
McGregor është një nga luftëtarët më të njohur dhe më polarizues në historinë e UFC-së, duke fituar tituj në divizione të ndryshme dhe duke u bërë një figurë globale. Ai debutoi në UFC në 2008 dhe mban një rekord profesional prej 22-6, me ndeshjen e fundit të zhvilluar në 2021.
Zgjedhjet presidenciale në Irlandë janë caktuar më 24 tetor dhe McGregor ka kohë deri më 24 shtator për të siguruar nominimin e nevojshëm dhe për të konkurruar zyrtarisht.