Pas më shumë se pesë dekadash djegie të pandërprerë, krateri i famshëm “Porta e Ferrit” në Turkmenistan po shfaq shenja të qarta shuarjeje. I njohur zyrtarisht si “Shkëlqimi i Karakumit”, ky formacion natyror në shkretëtirën Karakum është shndërruar nga një aksident sovjetik në një simbol të njohur globalisht – dhe një burim serioz i ndotjes mjedisore.
Zjarri nisi në vitin 1971, kur shkencëtarët sovjetikë çanë gabimisht një rezervuar metani gjatë shpimeve për gaz natyror dhe vendosën ta digjnin për të shmangur rrezikun e helmimit – pa e ditur se flakët do të zgjasnin për më shumë se 50 vite. Por së fundmi, intensiteti i tyre është zvogëluar ndjeshëm, për shkak të pakësimit të gazit që del në sipërfaqe.
Qeveria e Turkmenistanit ka nisur zyrtarisht përpjekjet për ta mbyllur kraterin. Ish-presidenti Gurbanguly Berdymukhamedov, që prej vitit 2022, ka udhëhequr një projekt për kapjen e metanit dhe shfrytëzimin e tij në mënyrë më të qëndrueshme, duke deklaruar se dëshiron të mbahet mend si “njeriu që mbylli portën e ferrit”.
Ndërsa “Porta e Ferrit” humbet shkëlqimin e saj të dikurshëm, ky zhvillim konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt uljes së ndotjes me gazra serrë dhe përmirësimit të ndikimit mjedisor të Turkmenistanit në nivel global.
