FLASH :

Mbyllet Al Jazeera Balkans pas 14 vitesh: Një goditje për pluralizmin mediatik në Ballkan

Pas 14 vitesh transmetim, rrjeti televiziv Al Jazeera Balkans (AJB) ka ndërprerë zyrtarisht edicionet e lajmeve më 12 korrik, ndërsa sinjali do të shuhet plotësisht në fund të muajit. Ky vendim, i marrë nga pronari në Doha, është pritur me shqetësim të thellë në rajon, ku ekspertë dhe shoqata të gazetarëve e konsiderojnë si një goditje serioze ndaj lirisë së medias, pluralizmit dhe interesit publik.

AJB ishte një prej platformave më të rëndësishme për gazetarinë hulumtuese dhe përmbajtjen dokumentare në Ballkan, me korrespondentë në të gjitha kryeqytetet rajonale. Rreth 200 punonjës do të mbeten pa punë, ndërsa shqetësimi është shtuar edhe për mënyrën e komunikimit të këtij vendimi – shumë punonjës e mësuan nga burime të jashtme. Presidentja e Federatës Evropiane të Gazetarëve, Maja Sever, e cilësoi mbylljen si “një sulm ndaj demokracisë”, ndërsa profesorë dhe drejtues mediash paralajmërojnë se humbja e zërave të pavarur po destabilizon skenën mediatike në Bosnjë dhe më gjerë. Me mbylljen e AJB dhe paralelisht Zërit të Amerikës, shqetësimet për një zbrazëti informative dhe mungesë transparence po shtohen në rajon.