FLASH :

Mbyllen hetimet për dosjen ‘Meta’/ SPAK merr të pandehur edhe nënën e Kryemadhit! I komunikon akuzën bashkë me Ema Çokun e Pirro Xhixhon

SPAK mbyll hetimet për aferën CEZ-DIA dhe lobimin e LSI në SHBA. Të pandehur Ilir Meta, Monika Kryemadhi me nënën e saj, Pirro Xhixho e Ema Çoku. Metës e Kryemadhit iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë më datë 29 maj.

Nëntë muaj pas arrestimit, SPAK ka mbyllur hetimet për dosjen e Ilir Metës, për aferën CEZ-DIA dhe skandalin e lobimit të LSI në SHBA. Me mbylljen e hetimeve zbulohet se SPAK ka marrë të pandehur edhe nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhin, ndaj së cilës nuk ka pasur asnjë masë sigurie.

Fatime Kryemadhi është paraqitur sot në SPAK për tu njohur me akuzën, bashkë me mikeshën e Monika Kryemadhit, Ema Çokun, si edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho. Ky i fundit është hetuar për korrupsion pasiv, ndërsa Çoku për pastrim parash. 

Vetë Meta dhe Kryemadhi u morën të pandehur më datë 29 maj, ku iu komunikuan akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë. Nesër në orën 13:00, Monika Kryemadhi do të jetë në dyert e SPAK vetëm për tu njohur me mbylljen e hetimeve.