Një funeral madhështor ka bërë bujë në Britani, ku Frank Thompson, i njohur si “mbreti” i komunitetit Traveller, u varros në një arkivol të bërë tërësisht prej floriri, me vlerë gjashtëshifrore. 69-vjeçari, i cili ndërroi jetë më 2 korrik nga një infeksion në mushkëri, u përcoll nga familja dhe të afërmit e tij në një ceremoni të shtrirë për një javë, që përfshiu një “tour lamtumire” me Rolls Royce në Nottingham e Manchester.
Familja e Thompson-it, e cila e përshkruan si një biznesmen të suksesshëm dhe “njeri me zemër të artë”, ka planifikuar ndërtimin e një varri monumental prej mermeri, që pritet të përfundojë për një vit në një varrezë të Londrës jugore. Një mik i afërt i familjes e përshkroi varrimin si “të jashtëzakonshëm”, duke theksuar se gjithçka u bë për të treguar se “ka travellerë që përfaqësojnë vlerat më të mira”.
Përveç kortezhit me disa Rolls Royce, pjesëmarrësit panë dhe homazhe të veçanta me kurora lulesh dhe portretin e madh të Thompson-it. Ai u kujtua si njeri me mençuri, që i udhëzoi të tijët të ishin të orientuar drejt biznesit, familjes dhe një jete të mirë.
Ky varrim vjen pas një serie ceremonish të ngjashme luksoze për “mbretër” të tjerë të komunitetit Traveller, si Terry dhe Willy Collins, të cilët u bënë të famshëm për varret e tyre monumentale dhe arkivolet prej ari e platini.







