ITALI – Sot është nata që vendos gjithçka! Serie A mbyllet me emocione të forta, teksa Napoli dhe Interi zbresin në fushë në të njëjtën orë për sfidat e fundit të sezonit. Në lojë është titulli kampion dhe një shqiptar do ngrejë trofeun – vetëm që mbetet për t’u parë nëse do jetë Amir Rrahmani me Napolin apo Kristjan Asllani me Interin.
Nga ora 20:45, sytë e gjithë tifozëve janë të ndarë mes dy ndeshjeve: Napoli pret Cagliarin në shtëpi, ndërsa Interi udhëton në Como. Të dy kundërshtarët – Cagliari dhe Como – kanë mbyllur sezonin pa objektiva dhe nuk rrezikojnë asgjë, por presioni është maksimal për ekipet pretendente.
Napoli i Antonio Contes vjen në këtë javë të fundit me 79 pikë, vetëm një më shumë se Interi i Simone Inzaghit. Një fitore e garanton titullin për napolitanët, pavarësisht rezultatit të Interit. Por çdo hap fals mund të jetë fatal.
Në fund, do ketë lot – gëzimi për njërin, zhgënjimi për tjetrin. Për Rrahmanin kjo do ishte hera e dytë që feston kampion me Napolin, ndërsa Asllani synon trofeun e tij të parë të madh në Itali.
Finalet e mëdha të mbrëmjes:
- 🕗 E premte, 23 maj 2025 – Ora 20:45
- Como – Inter
- Napoli – Cagliari
Një natë “Oscar”-esh për futbollin italian, ku gjithçka vendoset në 90 minuta.








