Një histori tronditëse nga Kolorado ka bërë jehonë në mediat amerikane, pasi u zbuluan detaje të reja për vdekjen tragjike të Talon Vance, një adoleshent që humbi jetën së bashku me nënën dhe hallën e tij pasi u larguan nga jeta normale për të jetuar “jashtë sistemit”, në një zonë të largët malore gjatë pandemisë COVID-19.
Trupat e pajetë të Talonit, nënës së tij Rebecca Vance dhe hallës Christine, u zbuluan në korrik të vitit 2023, pranë një kampingu të Shërbimit Pyjor të SHBA-së, rreth 11 muaj pasi ishin larguar nga jeta urbane. Ata u gjetën në një tendë të mbuluar nga bora, pa ngrohje, me pak ushqime dhe manuale për mbijetesë të shpërndara në kamp.
Një vendim fatal i udhëhequr nga frika dhe teoritë konspirative
Sipas gazetarit investigativ Ted Conover, i cili ka dokumentuar raste të njerëzve që jetojnë “off-grid” në librin e tij Cheap Land Colorado, “Talon vdiq për shkak të një iluzioni që vuante nëna e tij.”
Rebecca kishte lënë punën gjatë pandemisë dhe e kishte tërhequr Talonin nga shkolla, për ta mësuar vetë në shtëpi, ndërsa përqafonte gjithnjë e më shumë teori konspirative në internet. Deri në gusht 2022, ajo kishte bindur edhe motrën e saj që t’i bashkohej në planin për të jetuar në natyrë të egër, larg shoqërisë dhe institucioneve.
Plani përfshinte ushqim të mbjellë vetë dhe aftësi mbijetese të mësuara në YouTube. Taloni mësohej të lidhte nyje dhe të mbijetonte në kushte ekstreme. Por Rebecca nuk kishte marrë parasysh lartësinë prej 3,000 metrash, ku mbjellja është thuajse e pamundur, dhe motin e ashpër të dimrit në Kolorado.
Tragjedia e një mashtrimi ideologjik
Rebecca kishte ndarë me miq të vjetër mendime alarmante për botën. Në një mesazh ajo shkruante:
“E di që mund të tingëlloj si teoriciene konspirative, por ka plane të çmendura për të na marrë shpirtin dhe njerëzimin. Nëse nuk ke dëgjuar për ‘The Great Reset’, WEF, Revolucioni i 4-t Industriale… kërko për Yuval Noah Harari dhe Klaus Schwab.”
Në një tjetër mesazh të fundit ajo shkruante:
“Ata vërtet duan të bashkojnë njeriun me makinerinë, dhe nuk do t’i lejoj të bëjnë këtë as me mua dhe as me djalin tim.”
Vdekja e ngadaltë dhe e dhimbshme
Hetimet tregojnë se të tre kanë vdekur në kohë të ndryshme, duke luftuar me urinë, diarrenë dhe temperaturat ekstreme. Talon peshonte vetëm 18 kg, një e treta e peshës mesatare për moshën e tij.
Sipas mjekësisë ligjore të Qarkut Gunnison, kampi i tyre kishte pak ushqim dhe asnjë pajisje ngrohjeje. Ndodhej vetëm disa qindra metra nga një kamping zyrtar, por ata nuk kërkuan ndihmë.
Një babë i zemëruar dhe i pikëlluar
Babai i Talonit, Eric Burden, ishte i pranishëm në një leksion të gazetarit Conover ku u diskutua rasti. Ai kishte pasur kontakte të rregullta me Talonin para pandemisë, por nuk figuronte në certifikatën e lindjes apo dokumentet shkollore.
Një mik i vjetër i Rebeccës kishte kontaktuar autoritetet kur ajo nisi të tregonte shenja ekstreme paranoje dhe shkëputjeje nga realiteti.
Tragjedia e Talon Vance është një shembull i dhimbshëm se si teoritë konspirative dhe izolimi i thellë social mund të çojnë në vendime fatale. Mesazhi i fundit i nënës së tij për refuzimin ndaj “sistemit” shërben si një paralajmërim për atë që ndodh kur frika e pakontrolluar shndërrohet në mënyrë jetese.