FLASH :

Mbështetësit e Bolsonaros mbushin rrugët me protesta në Brazil kundër Gjykatës së Lartë dhe presidentit Lula

Mbështetës të ish-presidentit të Brazilit, Jair Bolsonaro, i cili përballet me akuza për organizimin e një grushti shteti pas humbjes në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2022, dolën në rrugët e disa qyteteve braziliane të dielën për të protestuar kundër gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Alexandre de Moraes, dhe presidentit aktual Luiz Inácio Lula da Silva.

Protestuesit kërkuan amnisti për të arrestuarit dhe të përfshirët në përpjekjen për përmbysjen e pushtetit disa ditë pas betimit të presidentit Lula në janar të vitit 2023.

Ish-presidenti Bolsonaro nuk mori pjesë fizikisht në protestë, pasi ndodhet në arrest shtëpiak dhe i pajisur me byzylyk elektronik në kyçin e këmbës, me urdhër të gjyqtarit de Moraes.

Ai nuk lejohet të dalë nga shtëpia gjatë fundjavave dhe festave zyrtare. Gjatë protestës në Rio de Janeiro, djali i tij, senatori Flavio Bolsonaro, e telefonoi të atin dhe e përshëndeti turmën me zërin e tij.

Në muajin mars, një panel prej pesë anëtarësh i Gjykatës së Lartë Federale (STF) vendosi njëzëri që Bolsonaro të dalë në gjyq për konspiracion për përmbysjen e rezultatit zgjedhor dhe rrëzimin e presidentit Lula. Nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me vite të gjata burgimi.

Muajin e kaluar, gjyqtari de Moraes urdhëroi masa paraprake ndaj Bolsonaro-s, pasi dyshohet se ai dhe djali tjetër i tij, Eduardo Bolsonaro, aktualisht deputet që jeton në SHBA, kanë bashkëpunuar me autoritete amerikane në përpjekje për të ndikuar në çështjet e brendshme të Brazilit.