FLASH :

Mbahen në burg fukarenjtë që s’paguajnë dritat, lirohet polici super i korruptuar

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur këtë të hënë të lirojë nga paraburgimi ish-shefin e qarkullimit rrugor të Tiranës, Roven Zeka. Ai ishte arrestuar disa javë më parë në kuadër të një hetimi të nisur nga SPAK për korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Sipas burimeve nga hetimi, Zeka dyshohet se ka abuzuar me detyrën duke marrë përfitime të paligjshme në këmbim të tolerimeve në gjoba, leje qarkullimi dhe ndërhyrje të tjera në dëm të funksionit publik që ushtronte. Arrestimi i tij u bë në kuadër të një operacioni më të gjerë të Prokurorisë së Posaçme, që synon goditjen e korrupsionit në radhët e policisë rrugore.

Pas analizimit të kërkesës së mbrojtjes dhe provave të paraqitura nga prokuroria, GJKKO vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në një masë më të butë, që ende nuk është bërë publike zyrtarisht. Megjithatë, hetimet ndaj tij vijojnë, ndërsa SPAK po verifikon komunikimet dhe dokumentacionin e sekuestruar gjatë arrestimit për të thelluar akuzat ndaj tij dhe të tjerëve të përfshirë në këtë skemë të mundshme korrupsioni.