Piloti i njohur i Formula 1, Max Verstappen, ka mirëpritur fëmijën e tij të parë me të dashurën e tij, Kelly Piquet.
Lajmin e bukur, 27-vjeçari e ndau me ndjekësit në Instagram, duke publikuar një seri fotosh bardh e zi me vajzën e porsalindur, të cilën e kanë quajtur Lily.
“Mirë se erdhe në botë, Lily e ëmbël. Zemrat tona janë më të plota se kurrë – je dhurata jonë më e madhe. Të duam shumë,” – shkruan Max në postimin emocionues.
Edhe pse kjo është vajza e parë për Max-in, Kelly, 36 vjeçe, ka tashmë një vajzë të quajtur Penelope, lindur në vitin 2019 nga lidhja e saj e mëparshme me pilotin rus të Formula 1, Daniil Kvyat.
Në një intervistë të mëparshme në podkastin Talking Bull, Max tha se ishte disi i përgatitur për atësinë falë përvojës me Penelopën:
“Kam marrë një ‘trajnim’ të vogël me Penelopën gjatë këtyre katër viteve dhe ka qenë një përvojë e mrekullueshme… Tani që do të kem fëmijën tim biologjik, është një sfidë tjetër, por mezi po e pres.”
Ardhja e vajzës, vetëm një ditë para Çmimit të Madh të Miamit
Lajmi për lindjen e Lily erdhi vetëm një ditë pasi u raportua se Max ishte tërhequr nga angazhimet me median për garën e kësaj fundjave në Miami Grand Prix.
Një zëdhënës i Red Bull tha:
“Max nuk do të marrë pjesë në ditën mediatike në Miami pasi është në pritje të fëmijës. Gjithçka është në rregull dhe ai do të jetë i pranishëm në pistë për fundjavën garuese.”

Një marrëdhënie që sfidon paragjykimet dhe valët e urrejtjes
Çifti filloi lidhjen në tetor 2020 dhe në dhjetor 2023 njoftuan se po prisnin fëmijën e parë së bashku.
Megjithëse ka një diferencë moshe prej nëntë vitesh, Kelly ka thënë se marrëdhënia e tyre funksionon shumë mirë për shkak të mirëkuptimit reciprok:
“Mund të mendosh se diferenca e moshës është pengesë, por deri tani gjithçka po shkon shumë mirë. Më pëlqen shumë edhe mënyra si sillet me Penelopën – është kaq e ëmbël ta shohësh.”
Çështja e martesës është adresuar publikisht nga Max, i cili është shprehur se “vetëm koha do ta tregojë” nëse do të martohen apo jo.
Kelly është vajza e legjendës së Formula 1, Nelson Piquet, tre herë kampion bote në vitet ’80, i cili më vonë u përfshi në një skandal racor ndaj Lewis Hamilton.

Sulmet ndaj Kelly dhe mbështetja publike e Max-it
Në vitin 2023, Kelly u përball me valë akuzash dhe thashethemesh online, shumica lidhur me marrëdhëniet e saj të mëparshme. Ajo publikoi një deklaratë emocionale në Instagram, ku u kërkonte përdoruesve të ndalonin shpërndarjen e gënjeshtrave.
“Prej më shumë se tre vitesh po përballem me akuza, thashetheme, situata të fabrikuara, ‘screenshot’-e të manipuluara… e çdo gjë tjetër. Kam qëndruar e heshtur, por mjaft është mjaft,” – shkroi ajo.
Max reagoi publikisht duke mbështetur të dashurën e tij:
“Kjo duhet të ndalet. Këto akuza të rreme janë qesharake dhe të pakuptimta. Urrejtja s’ka vend në këtë botë. Ne e dimë të vërtetën si familje dhe jemi shumë të lumtur bashkë. Të dua,” – shkroi ai me një zemër.
Kelly përfundoi deklaratën e saj me një apel:
“Shpresoj që kjo të shërbejë si kujtesë për të gjithë: verifikoni informacionin online përpara se të shpërndani urrejtje apo të kërcënoni njerëz. Mund të dëmtoni më shumë seç mendoni.”