FLASH :

Matura 2025 nis nesër: 27 mijë nxënës përballen me provimin e parë – startojnë “ethet” drejt universitetit!

Matura 2025 nis nesër me provimin e parë të detyruar, atë të Gjuhës së Huaj. Rreth 27 mijë maturantë nga i gjithë vendi do t’i nënshtrohen këtij testi, duke shënuar nisjen e një sezoni vendimtar për të ardhmen akademike.

Provimi do të nisë në orën 10:00 njëkohësisht në 145 qendra testimi, ndërsa maturantët kanë në dispozicion 2 orë e gjysmë për të zgjidhur tezën me pyetje me alternativa dhe zhvillim. Teza hartohet në tre nivele vështirësie, sipas modelit të viteve të kaluara.

Pas provimit të gjuhës së huaj, më 10 qershor zhvillohet testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, më 17 qershor ai i Matematikës, dhe më 24 qershor provimi i fundit, ai i lëndës me zgjedhje – që përcakton orientimin e maturantit drejt fushave shoqërore apo shkencore.

Në fund të qershorit, të dhënat do të ngarkohen në sistemin “U-Albania”, ku më pas, nga fundi i korrikut deri në fillim të gushtit, do të hapet zyrtarisht periudha e aplikimeve për në universitet me deri në 10 preferenca për çdo kandidat.

Kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, siguron se portali do të përditësohet me të gjitha programet e reja që licencohen nga Ministria e Arsimit.

Nga ana tjetër, ministrja e Arsimit ka kërkuar zbatimin strikt të rregullave të sigurisë gjatë provimeve, për të shmangur publikimin e tezave në rrjetet sociale, fenomen që është përsëritur në vitet e kaluara.