FLASH :

“Maska ra”: Diddy përballet me panik në gjyq ndërsa juria arrin vendim për katër akuza dhe ngec në të pestën

Sean “Diddy” Combs përjetoi një moment paniku të dukshëm në sallën e gjyqit ndërsa juria shpalli se kishte arritur një vendim për katër nga pesë akuzat ndaj tij, por mbetej e ndarë për më të rëndën: komplot për zhvatje me metoda mafioze (racketeering). Një skicë nga salla e gjyqit tregoi reperin 55-vjeçar me sytë të zgurdulluar dhe të rrethuar nga avokatët e tij, teksa po përballej me një perspektivë të mundshme dënimi me burgim të përjetshëm.

Juria njoftoi të martën gjyqtarin Arun Subramanian se kishte marrë vendim për dy akuza për trafik seksual me dhunë, mashtrim apo shtrëngim, si dhe për dy akuza për transportim për qëllime prostitucioni — akuza të ngritura nga ish-partnerja e tij Cassie Ventura dhe një tjetër grua që përdori pseudonimin “Jane”.

Megjithatë, kur erdhi puna te akuza më e rëndë për krijimin e një rrjeti kriminal të strukturuar për të rekrutuar dhe abuzuar gratë, juria u deklarua e bllokuar. “Ka jurorë me mendime të pa ndryshueshme në të dy anët,” thuhej në mesazhin e dorëzuar gjyqtarit.

Analistët ligjorë besojnë se kjo ndarje nënkupton se një pjesë e jurisë e konsideron Combs fajtor për akuzat kryesore, duke ngritur pritshmëritë për një vendim përfundimtar negativ për të. “Është vështirë të imagjinosh që dikush do të besonte se ai është fajtor për zhvatje, por jo për trafik seksual apo prostitucion ndër-shtetëror,” tha analisti Ellie Honig për CNN.

Procesi gjyqësor i profilit të lartë nisi më 12 maj dhe ka përfshirë mbi një muaj dëshmi tronditëse, përfshirë armë, vaj për foshnja dhe video të akteve seksuale ekstreme. Prokurorët pretendojnë se Diddy organizon festa të mbushura me drogë dhe dhunë seksuale, ku përdor prostitutat dhe videoincizimet për të shantazhuar viktimat.

Cassie Ventura, tashmë 38 vjeç dhe shtatzënë në muajin e tetë gjatë dëshmisë, përshkroi në detaje sesi u detyrua të merrte pjesë në “freak-off” — orgji me meshkuj të paguar — dhe sesi Combs e rrihte dhe e shantazhonte vazhdimisht. “Jane”, dëshmitarja tjetër, përshkroi skenarë të ngjashëm.

Gjatë shqyrtimit të dëshmive, juria kërkoi të rilexojë pjesë të caktuara të deklarimeve të Ventura-s, përfshirë një incident të filmuar në 2016 dhe një përplasje në Festivalin e Kanës më 2013. Në një fitore të pjesshme për mbrojtjen, juria do të ketë në dorë një mesazh tekst të Ventura-s, ku ajo shkruante “I wanna Freak Off so bad”, të cilin avokatët e Combs e cilësuan thelbësor për të vërtetuar mungesën e shtrëngimit.

Ndërkohë, gjykatësi u bëri thirrje jurorëve të vazhdojnë diskutimet duke theksuar se askush nuk duhet të heqë dorë nga bindjet e veta vetëm për të arritur një vendim unanim.

Deliberimet do të rinisin të mërkurën në orën 9:00 të mëngjesit me orën lokale, me të gjithë sytë e drejtuar nga vendimi i vetëm që mund të përcaktojë fatin përfundimtar të një prej figurave më të njohura dhe më të rëna nga hiri në industrinë e muzikës amerikane.