Një praktikë e dyshimtë me kredi bankare, përfitime të pashpjeguara sigurimesh dhe një pagesë prej 21 mijë euro për një zyrtare që kaloi nga BKT në Bankën e Shqipërisë, ngre dyshime serioze mbi integritetin financiar të një prej bankave më të mëdha në vend. Si u mashtruan klientët për vite me radhë? Si përfitonte BKT para nga kompanitë e sigurimeve pa qenë e licensuar? Dhe kush duhet të mbajë përgjegjësi?
Një skemë e quajtur “Half Payment” u aplikua nga BKT gjatë viteve 2009-2013, ku klientëve me kredi u ofrohej të paguanin gjysmën e shumës së sigurimit të jetës, pa marrë në fakt asnjë mbulim sigurimi. Këto pagesa nuk shoqëroheshin me asnjë kontratë apo dokument zyrtar. Për rrjedhojë, asnjë mbrojtje nuk ekzistonte në rast vdekjeje apo paaftësie të kredimarrësit. Paratë shkonin drejtpërdrejtë si të ardhura të bankës, pa ofruar ndonjë shërbim konkret.
Një detaj edhe më shqetësues është fakti që klientët që zgjidhnin të bënin sigurim të rregullt, nuk lejoheshin të përdornin kompani të tjera përveç atyre të propozuara nga BKT, duke e shkelur të drejtën e tyre për konkurrencë të lirë. Banka përfitonte 15% komision nga primi i sigurimit, ndërsa nuk ishte e licensuar për të kryer aktivitet në fushën e sigurimeve deri në fund të vitit 2016.
Përkundër kësaj, Banka e Shqipërisë nuk mori masa konkrete, duke u justifikuar me “autonominë e bankave tregtare” dhe duke deklaruar vetëm se klientët duhet të ishin informuar. Deri tani, nuk dihet nëse ekzistojnë dokumente që provojnë njoftimin e klientëve mbi natyrën reale të pagesave “Half Payment”.
Për më tepër, praktika e mbledhjes së komisioneve nga kompanitë e sigurimeve pa licencë mund të konsiderohet si veprimtari e paligjshme, me konflikt të qartë interesi dhe dëm për konsumatorin.
Klientët që kanë paguar këto tarifa pa marrë shërbimin e premtuar duhet të kërkojnë rimbursim dhe të denoncojnë rastin pranë autoriteteve. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare duhet të nisin hetimet për veprimtari të paligjshme të ndermjetësimit, ndërsa SPAK duhet të shqyrtojë nëse kemi të bëjmë me mashtrim masiv dhe përfitim të paligjshëm.
Rasti i BKT tregon qartazi nevojën për forcimin e kontrolleve mbi institucionet financiare dhe mbrojtjen reale të konsumatorëve nga abuzimet e sistemit.