FLASH :

Mashtrim kibernetik në emër të Postës Shqiptare – AKSK paralajmëron: Kujdes, mos jepni të dhënat bankare!

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka paralajmëruar qytetarët për një skemë të rrezikshme mashtrimi që po qarkullon përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare, me qëllim vjedhjen e të dhënave bankare.

Në njoftimin zyrtar, AKSK bën me dije se ka ndërmarrë masa të menjëhershme duke raportuar domainin e dyshuar dhe duke e përcjellë atë për bllokim pranë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Mesazhet mashtruese, të ngjashme me fushata të mëparshme të phishing-ut, përmbajnë forma apo linke të dyshimta ku kërkohen të dhëna të ndjeshme, përfshirë ato të kartës së kreditit. Autoriteti thekson se kjo është një përpjekje për të mashtruar përdoruesit përmes një identiteti të besueshëm siç është Posta Shqiptare.

AKSK u bën thirrje qytetarëve:

  • Mos hapni linke të dyshimta që vijnë me SMS ose email.
  • Mos jepni kurrë të dhëna bankare në faqe të paautorizuara.
  • Kontrolloni gjithmonë adresën zyrtare të faqes përpara se të ndërmerrni ndonjë veprim.

Nëse keni rënë pre e kësaj skeme ose dyshoni për ndonjë veprimtari të tillë, rekomandohet të kontaktoni menjëherë bankën tuaj dhe të raportoni rastin tek autoritetet përkatëse.

Njoftimi  Autoritetit për Sigurinë Kibernetike

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare. Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP. Kjo fushatë nuk ka lidhje me një aktor të sponsorizuar specifik, por është një tjetër përpjekje për të vjedhur të dhënat e kartave të kreditit, njësoj si rastet e mëparshme që janë hasur nga imitues të Postës Shqiptare. Kujdes! Mos jepni në asnjë rast të dhënat tuaja bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta! AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.