Pas fitores së Inter Miamit me rezultat 2-1 ndaj Portos në Botërorin për Klube, Javier Mascherano nuk kurseu fjalët për protagonistin kryesor të mbrëmjes, Lionel Messi. Në një konferencë për shtypin, trajneri i Inter Miamit tha:
“Përtej golit, e dini se e kam thënë shpesh: ai është lojtari që na udhëheq në drejtimin e duhur. Uria, qëndrueshmëria dhe dëshira e tij për të vazhduar të luajë në nivele të larta na tregojnë rrugën që duhet ndjekur.”
Mascherano, ish-shok i Messit në kombëtaren argjentinase dhe te Barcelona, dhe tani trajneri i tij në Florida, theksoi edhe një herë admirimin e thellë:
“Në futboll, çfarë mund të thuhet më shumë? Ai është lojtari më i mirë në histori. Dhe vazhdon të na habisë me dëshirën për të fituar.”
Edhe David Beckham, bashkëpronari i Inter Miamit, nderoi ‘yllin’ argjentinas me një mesazh të thjeshtë, por të fuqishëm në Instagram:
“Askush si ai.” Mesazhi shoqërohej me një foto të Messit duke festuar në Mercedes-Benz Stadium në Atlanta.
Lionel Messi, “Pleshti”, është përsëri vendimtar dhe po synon të konsolidojë statusin e tij legjendar në futbollin botëror.