FLASH :

Masakra në Gaza vazhdon: Izraeli godet shkollën-strehë, digjen për së gjalli civilët – përfshihet edhe një familje

GAZA – Forcat izraelite vijojnë bombardimet brutale në Rripin e Gazës, duke goditur një shkollë të kthyer në strehë në qytetin e Gazës dhe duke shkaktuar një zjarr që mori jetën e të paktën 10 personave, mes tyre edhe një fëmijë që u dogj i gjallë. Sulmi vjen pas një dite tjetër të përgjakshme, ku 32 palestinezë humbën jetën nga bombardimet, ndërsa u dëmtua edhe Spitali Pediatrik El Dorra dhe u shkatërruan mjete të shpëtimit që po ndihmonin në kërkimet mes rrënojave.

Sipas zyrës mediatike të Qeverisë së Gazës, numri i viktimave ka kaluar tashmë 61,700 persona që nga nisja e luftës para 18 muajsh, ndërsa dhjetëra mijëra të tjerë janë nën rrënoja dhe konsiderohen të humbur, pra të vdekur. Në bilancin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, konfirmohen 51,266 të vrarë dhe mbi 116,000 të plagosur.

Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, deklaroi se Doha vazhdon përpjekjet me ndërmjetësit për të ndalur luftën, por dhuna në terren nuk po njeh ndalim.

Ndërkohë, kujtojmë se nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 në Izrael, humbën jetën të paktën 1,139 persona dhe mbi 200 të tjerë u morën peng.