FLASH :

Masakra e Urës Vajgurore më ‘97/ I dënuar me burgim të përjetshëm, Fran Marashi kërkon pafajësinë në Apelin e GJKKO

Fran Marashi ka kërkuar pafajësi gjatë mbrojtjes së tij në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ai pretendoi se nuk ka gisht në masakrën e Urës Vajgurore të 17 qershorit 1997,  ku u vranë 4 efektivë policie dhe u plagosën 6 të tjerë.

Vendimi për fajësinë ose jo të tij, do të merret me 26 shtator, teksa SPAK ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë që e dënoi përjetë. Marashi mbahet prej kohësh në regjimin e posaçëm 41 BISS. 

Ngjarja e rëndë për të cilën akuzohet, u rigjykuara sërish në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, pas rikthimit të çështjes nga Gjykata e Lartë. Përveç Fran Marashit, me burg përjetë janë dënuar edhe Musa Protoduari  dhe Shkëlqim Protoduari, si dhe disa persona të tjerë me nga  25 vite burg.

Fran Marashi është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, më 31 janar 2000, për kryerjen e disa veprave penale të rënda, përfshirë: 

– Pjesëmarrje në banda të armatosura 

– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë (katër raste) 

– Vrasje me dashje të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë (dy raste) 

– Vrasje me dashje 

– Heqje e paligjshme e lirisë 

“Gjatë periudhës së vuajtjes së dënimit, Fran Marashi është dënuar tre herë për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe dy herë për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e vuajtjes së dënimit”. Nga të dhënat rezulton se i burgosuri ka shkelje të përsëritura disiplinore nga viti 2011 deri më sot, të lidhura me futjen dhe përdorimin e sendeve të ndaluara në institucion. Ai përbën rrezik të lartë për arratisje dhe për sigurinë e brendshme të institucionit.”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Përplasja e armatosur në Urën Vajgurore ka filluar në orën 11:55 të paradites së 17 qershorit 1997, pas shumë mitingjeve elektorale të partive politike në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme pasi vendi ishte zhytur prej muajsh të tërë në destabilitet total pas rënies së firmave piramidale. Atë ditë, në këtë qytet ishin Fatos Nano, asokohe kryetar i PS , i shoqëruar nga Skënder Gjinushi, ndërsa në komunën Poshnje përfaqësonin PD në miting Azem Hajdari dhe Genc Pollo. Pas mbarimit të dy mitingjeve, eskorta e PD u largua dhe pas saj erdhi ajo e Fatos Nanos dhe Skënder Gjinushit, si dhe anëtarë e simpatizantë të tjerë të kësaj partie. Në kthimin e eskortës së policisë, pikërisht në Urën Vajgurore, persona të armatosur dhe me maska sulmuan me armë të rënda antitanke autoblindën e policisë, ku për pasojë, dy prej policëve, Milto Koçi dhe Arjan Shemani u dogjën brenda tankut. Dy të tjerët, Asllan Selami dhe Ilia Bano u vranë sapo dolën nga flakët e blindës. Ndërkohë që të plagosur mbetën punonjësit e policisë: Thimi Tanku, Ylli Dhamo, Neim Gjeroveni, Engjëllush Pasha, Arben Bega dhe Shkëlqim Selfo. Për fat të keq, nga përplasjet e shumta me armë ndërroi jetë dhe 1 civil, i quajtur Ilir Bani.