Tre persona nga Koreja e Veriut u lidhën pas shtyllave dhe u ekzekutuan me 90 plumba secili në një skenë makabre ekzekutimi publik, përpara se trupat e tyre të digjeshin para qindra shikuesve të tmerruar.
Të ekzekutuarit, dy vëllezër me mbiemrin Kim dhe shoku i tyre Ri, të gjithë në të 30-at, kishin planifikuar arratisjen drejt Koresë së Jugut prej muajsh. Më 6 janar, ata grumbulluan kursimet e tyre dhe blenë një varkë të vogël, duke u nisur mes mjegullës së dendur me shpresën për të arritur.
Por kur përshëndetën një anije kalimtare, duke menduar gabimisht se ishte një varkë peshkimi nga Korea e Jugut, ata u kapën nga një patrullë e marinës së Koresë së Veriut dhe u arrestuan menjëherë.
Një ekzekutim i pashpirt
Sipas dëshmitarëve, të burgosurit u nxorën në sheshin e fshatit Songjong-ri, ku u lidhën aq fort sa iu nevojitën gjashtë rripa secilit, pasi trupat e tyre të torturuar ishin tepër të dobët për të qëndruar vetë.
“Zakonisht, ata që do të ekzekutohen lidhen në tre vende: rreth qafës, belit dhe këmbëve. Por këta ishin aq të rënduar nga torturat, saqë u deshën gjashtë lidhje”, tha një dëshmitar.
Më pas, një skuadër prej dhjetë ushtarësh hapi zjarr mbi ta, duke u qëlluar secilin me 90 plumba në kokë, kraharor dhe këmbë. Pasi trupi i tyre ra i pajetë në tokë, autoritetet i dogjën mes turmës së tmerruar.
Një mesazh terrori për popullin
Një burim i dytë e cilësoi ekzekutimin si “një mesazh të qartë për popullin”, për të paralajmëruar ata që mund të synonin arratisjen. “Disa nga të pranishmit i ranë të fikët nga tmerri”, raportoi ai.
Dikur, të kapurit në tentativë për të ikur nga regjimi totalitar dënoheshin me 15 vite burg, por tashmë, arratisja ndëshkohet me vdekje në mes të qytetarëve, si një shembull.
Që nga fundi i Luftës Koreane, mbi 34,000 persona nga Koreja e Veriut kanë arritur të ikin drejt Jugut, shpesh duke kaluar rrugë të rrezikshme nëpër Kinë dhe Azinë Juglindore. Por historia tragjike e vëllezërve Kim dhe mikut të tyre Ri, tregon se sa e lartë mund të jetë kostoja e guximit për liri.







