Masakër për bukën e gojës në Gaza: Më shumë se 30 të vrarë nga forcat izraelite, ndërsa kërkonin ushqim

Të paktën 32 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur pasi forcat izraelite hapën zjarr ndaj palestinezëve që po kërkonin ndihma ushqimore në Gaza, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë dhe dëshmitarëve. Trupat e viktimave u dërguan në kompleksin mjekësor “Nasser”, ku pamjet filmike të CNN tregojnë rreshta trupash të pajetë. Një baba që mbante në krahë djalin e vdekur, thoshte mes lotësh: “Vetëm për të ngrënë doli… çfarë të bëja?”

Incidenti tragjik ndodhi disa kilometra larg një pike shpërndarjeje të ndihmave të Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), një organizatë e mbështetur nga Izraeli dhe SHBA, e cila mohoi çdo lidhje me ngjarjen. Forcat izraelite pretenduan se kishin qëlluar në ajër pasi kishin identifikuar “persona të dyshimtë” pranë zonës së Rafahut gjatë natës, kur qendra e ndihmave nuk ishte aktive.

Megjithatë, sipas OKB-së, afro 800 palestinezë janë vrarë që nga maji vetëm duke u përpjekur të marrin ushqim – 615 prej tyre afër pikave të shpërndarjes të GHF. Mjekët në Gaza konfirmuan se shumë prej të plagosurve kishin plagë të rënda me armë zjarri në kokë dhe në trup. “Në Gaza, ushqimi është luks për të pasurit”, tha një mjek për CNN. Ndërkohë, UNRWA e ka quajtur sistemin aktual të shpërndarjes së ndihmave “kurth vdekjeje për palestinezët e uritur”, duke kërkuar që të rikthehet në krye të procesit.

Ndërkohë, përpjekjet për një armëpushim vijojnë të ngecin. Presidenti amerikan Donald Trump është shprehur optimist për një marrëveshje të re, duke deklaruar se “po vijnë edhe 10 pengje të tjera së shpejti”. Por Hamas ka paralajmëruar se nuk mund të premtojë më ndonjë pauzë lufte nëse Izraeli nuk pranon të punojë drejt një fundi të plotë të luftës. Tensionet mbeten të larta, ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për bllokimin e negociatave.