FLASH :

Masakër në Ukrainë/ Bombardimi rus vret të paktën 21 civilë në fshatin Yarova

Një sulm ajror rus ka goditur fshatin Yarova në rajonin lindor të Donetskut, duke vrarë të paktën 21 civilë dhe plagosur dhjetëra të tjerë, sipas autoriteteve ukrainase. Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi sulmin si “mizori brutale” dhe tha se ishte kryer “drejtpërdrejt mbi njerëzit e zakonshëm”.

Pamjet e publikuara nga Zelensky tregojnë trupa pa jetë të civilëve, mes tyre edhe të moshuar, të shtrirë në tokë pranë një furgoni të shkatërruar të shërbimit postar, teksa në sfond duken lodrat e një parku për fëmijë. Sulmi ndodhi pikërisht në momentin kur banorët po merrnin pensionet. “Kjo nuk është luftë, kjo është terrorizëm i pastër”, deklaroi kreu i administratës ushtarake të Donetskut, Vadym Filashkin.

Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha u bëri thirrje aleatëve për një “reagim të fortë” dhe sanksione të reja ndaj Moskës, duke theksuar se propaganda ruse që pretendon të “shpëtojë” banorët e Donetskut po përgënjeshtrohet nga bombardime masive mbi civilë.

Sipas autoriteteve, zyra lokale e postës ishte mes objektivave të dëmtuara dhe drejtuesi i saj u plagos rëndë. Sulmet ruse vazhduan edhe në rajone të tjera: në Zaporizhzhia një grua humbi jetën dhe një tjetër u plagos, ndërsa në Donetsk të hënën u raportuan gjashtë të vrarë dhe dhjetë të plagosur.