Të paktën 300 persona janë vrarë gjatë fundjavës nga sulmet e Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në disa fshatra të shtetit të Kordofanit të Veriut në Sudan, sipas një grupi avokatësh që luftojnë për rivendosjen e demokracisë në vend. Vetëm në fshatin Sag Alnom, rreth qytetit Bara, raportohet për rreth 200 viktima, ndërsa në bastisje të tjera janë vrarë të paktën 84 persona, përfshirë gra dhe fëmijë, me dhjetëra të zhdukur.
Sipas OKB-së, më shumë se 3,400 civilë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre si pasojë e dhunës. SHBA dhe organizata të të drejtave të njeriut kanë akuzuar RSF për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Sudani vijon të përjetojë një konflikt brutal mes forcave të armatosura të udhëhequra nga gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe milicisë së RSF, të udhëhequr nga Mohamed Hamdan Daglo. Që nga prilli 2023, lufta ka shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe mbi 12 milionë të zhvendosur, duke zhytur vendin në një krizë humanitare të pashembullt.







