Një ngjarje tragjike ka tronditur Austrinë, pasi një person i armatosur ka hapur zjarr në një shkollë të mesme në qytetin Graz, duke vrarë 10 persona dhe plagosur 28 të tjerë, përpara se të vetëvritej në banjot e shkollës. Policia austriake ka konfirmuar se autori ishte një ish-nxënës 21-vjeçar që kishte braktisur shkollën dhe nuk ishte i njohur më parë për autoritetet.
Sipas dëshmive, i riu hyri në ambientet e shkollës BORG Dreierschuetzengasse i armatosur me një pushkë dhe një pistoletë – të dyja të pajisura me leje – dhe sulmoi dy klasa, duke qëlluar në mënyrë të çrregullt për të shkaktuar sa më shumë viktima. Masakra përfundoi vetëm pasi agresori qëlloi veten në një nga tualetet e shkollës. Mediat lokale raportojnë se ai mund të ketë qenë viktimë bullizmi gjatë kohës së qëndrimit në shkollë.
Pamje tronditëse nga brenda shkollës tregojnë studentë të tmerruar që vrapojnë nëpër korridore, ndërsa dëgjohen të shtënat dhe ndërhyjnë forcat e armatosura të policisë. Në video të tjera, viktimat shfaqen në barrelë, disa të mbuluara me çarçafë të bardhë, ndërsa personeli mjekësor tenton t’u japë ndihmën e parë. Një tjetër pacient i plagosur shihet i shtrirë pa ndjenja teksa dërgohet me urgjencë me helikopter.
Ministri i Brendshëm, Gerhard Karner, konfirmoi se autori ishte një ish-nxënës që nuk kishte përfunduar shkollën, duke shtuar se çdo gjë tjetër mbetet ende në kuadër të spekulimeve. Ndërkohë, kancelari austriak Christian Stocker shpalli tri ditë zie kombëtare, duke e cilësuar sulmin si një “ditë të errët për historinë e vendit”.


Në terren ndodheshin 158 punonjës të urgjencës, 65 mjete emergjence dhe 31 pjesëtarë të ekipeve të ndërhyrjes psikologjike. Nxënësit e shpëtuar u ribashkuan me prindërit e tyre, ndërsa të plagosurit u transportuan në ambientet e Helmut List Hall për trajtim mjekësor. Një alarm katastrofe është shpallur në spitalet vendase.
Një mësues i shkollës tregoi për gazetën Krone se ishte detyruar të mbyllej në klasë bashkë me nxënësit, duke bllokuar derën, pasi dëgjoi të shtënat. Kryetari i bashkisë së Graz-it, Elke Kahr, e quajti ngjarjen “një tragjedi të tmerrshme”, ndërsa ministrat e Brendshëm dhe të Arsimit po udhëtojnë drejt qytetit për t’u informuar nga afër.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, u shpreh “e tronditur thellësisht” nga sulmi: “Çdo fëmijë duhet të ndihet i sigurt në shkollë dhe të mësojë pa frikë apo dhunë”, tha ajo në një postim në X.


Masakra ndodhi pak ditë para përvjetorit të dhjetë të një tjetër sulmi në Graz – sulmi me makinë më 20 qershor 2015, ku humbën jetën tre persona. Sulmet e tilla janë të rralla në Austri, një vend me gati 9.2 milionë banorë që konsiderohet si një ndër më të sigurtit në botë, sipas Indeksit Global të Paqes.
Shkolla do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë.