FLASH :

Masakër në shkollë në Austri: Ish-nxënësi hap zjarr në dy klasa, 10 të vdekur dhe 28 të plagosur

Një ngjarje e rëndë tronditi Austrinë këtë mëngjes, kur një ish-nxënës i shkollës së mesme BORG Dreierschuetzengasse në qytetin e Graz-it, hapi zjarr brenda ambienteve të shkollës, duke lënë të vdekur 10 persona dhe plagosur të paktën 28 të tjerë – katër prej tyre në gjendje kritike.

Sipas raportimeve të mediave austriake, autori është një 22-vjeçar që kishte qenë më parë viktimë e bullizmit në të njëjtën shkollë. Ai mësohet se qëlloi në mënyrë të çoroditur në dy klasa dhe më pas kreu vetëvrasje në tualetin e shkollës.

Pamje tronditëse të publikuara në rrjet tregojnë të shtëna armësh brenda kampusit, trupat e viktimave të vendosur mbi barela dhe nxënës që vrapojnë të tmerruar për të shpëtuar, ndërsa forcat speciale Cobra patrullojnë korridoret.

Kryetarja e Bashkisë së Graz-it, Elke Kahr, konfirmoi se viktimat përfshijnë disa nxënës dhe të paktën një të rritur. Ndërkohë, të plagosurit po marrin ndihmën e parë në ambientet e Helmut List Hall – një sallë ngjarjesh pranë shkollës, ndërsa spitaleve u është shpallur alarmi për kapacitet të tejkaluar.

Në vendngjarje ndodheshin 158 punonjës të urgjencës, 31 staf të ndërhyrjes së krizës dhe 65 mjete emergjence. Policia njoftoi se shkolla është tashmë e sigurt dhe se nuk ka më rrezik për nxënësit, të cilët janë ribashkuar me familjarët në sallën ASKÖ.

Kancelari i Austrisë, Christian Stocker, anuloi të gjitha angazhimet e tij për ditën, duke deklaruar se “kjo tragjedi ka tronditur të gjithë vendin”. Ai shtoi: “Kjo ngjarje e pakuptueshme i rrëmbeu jetën të rinjve që kishin të gjithë të ardhmen përpara”.

Ngjarja ndodhi pak ditë përpara përvjetorit të masakrës tjetër në Graz më 20 qershor 2015, ku tre persona humbën jetën. Në një vend që llogaritet ndër më të sigurtët në botë, sulme të tilla në publik mbeten të rralla, por gjithnjë e më shqetësuese për Evropën.

Zyrtarë të lartë të BE-së dhe autoritete austriake kanë reaguar me tronditje, ndërsa hetimet për motivet dhe përgatitjen e këtij sulmi tragjik janë në vijim.