FLASH :

Masakër në Lushnje, ujqërit shkatërrojnë kopenë e blegtorit

Një rast i pazakontë raportohet nga Karbunara e Vogël në Lushnje, ku një tufë prej 80 krerësh dele e dhi është masakruar gjatë natës nga ujqërit.

Siç bën me dije gazetarja e Klan News, Anila Sefa, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm, 21 shtator, kur ujku hyri në vathë duke sulmuar tufën.

Sipas blegtorit, 40 krerë janë ngrënë e mbytur nga kafsha e egër, ndërsa pjesa tjetër është lënë e plagosur, një pjesë në rrugë dhe një pjesë brenda vathës.

Blegtori, i tronditur nga ngjarja, kërkon ndihmë nga shteti për kompensim të tufës, duke theksuar se vetëm një pjesë e bagëtive ishte e matrikulluar, ndërsa të tjerat ishin shtesa të fundit.

Banorët e zonës shprehen të frikësuar pasi ky nuk është rasti i parë.

Vetëm dy javët e fundit, ujqërit kanë sulmuar edhe kafshë të tjera, duke hyrë deri në qendrat e banuara.

Pylli i Zgjanës, pranë fshatit, është kthyer në strehë të ujqërve, numri i të cilëve, sipas banorëve, është shtuar ndjeshëm vitet e fundit.

Për ngjarjen është njoftuar policia e Lushnjes dhe shërbimi veterinar. Pritet që autoritetet të kryejnë groposjen e bagëtive të ngordhura dhe dezinfektimin e zonës për të shmangur përhapjen e ndonjë infeksioni.