FLASH :

Masakër në Gaza: Mbi 50 të vrarë në Han Junis, Izraeli përshkallëzon ofensivën mes vizitës së Trump në Lindjen e Mesme

Ushtria izraelite ka ndërmarrë sulme ajrore masive në qytetin jugor të Han Junisit gjatë natës dhe mëngjesit të së enjtes, duke vrarë të paktën 54 persona, sipas autoriteteve lokale. Ndër viktimat është edhe gazetari Hasan Samour, së bashku me 11 anëtarë të familjes së tij.

Një tjetër sulm në veri të Gazës, përfshirë kampin e refugjatëve në Xhabalia, shkaktoi dhjetëra viktima të tjera, ndërkohë që forcat izraelite kanë paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm të luftës.

Kjo valë e dhunës ndodh ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ndodhet në turne diplomatik në vendet e Gjirit, pa përfshirë Izraelin në axhendën e tij, megjithë shpresat për një armëpushim apo rifillim të ndihmave humanitare.

Në komunikatën zyrtare, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se “nuk ka asnjë shans për ndalim të luftës” dhe se forcat izraelite janë pranë një ofensive të re për “shkatërrimin e Hamasit”.

Që nga fillimi i luftës në tetor 2023, sipas autoriteteve palestineze, mbi 52,000 persona janë vrarë, shumica gra dhe fëmijë. Ndërkohë, bllokada totale izraelite ka ndaluar ushqimin dhe ilaçet për më shumë se 10 javë, duke shtyrë civilët drejt urisë dhe katastrofës humanitare.

Organizatat ndërkombëtare paralajmërojnë për përkeqësim të situatës, ndërsa fëmijët presin me orë të tëra për një racion ushqimi nga kuzhinat bamirëse.

Izraeli thotë se bllokada është mënyra për të ushtruar presion ndaj Hamasit për lirimin e 59 pengjeve që besohet se ndodhen ende në Gaza, shumica e të cilëve mendohet se kanë vdekur.