FLASH :

Martina 14 vjeç, e vrarë nga ish i dashuri i saj: ‘E kisha vrasësin në makinë dhe nuk e dija

Një tragjedi që ka tronditur opinionin publik italian ka marrë një kthesë dramatike. Marcello Carbonaro, babai i Martinas 14-vjeçare, e cila u vra me gurë nga ish-i dashuri i saj Alessio Tucci, ka rrëfyer me dhimbje se ai vetë e kishte marrë në makinë të dyshuarin për vrasje gjatë kërkimeve për vajzën e zhdukur.

“Venia në shtëpinë tonë, hanim bashkë, bëmë pushime së bashku. Kur mendonim se Martina ishte zhdukur, ai kërkonte me ne”, tha Carbonaro për Rai1. “Më ndihmoi ta kërkoja Martinen. Dhe unë nuk dija që kisha në makinë vrasësin e vajzës sime”.

Vrasja brutale e 14-vjeçares u zbulua pas zhdukjes së saj dhe hetimeve që çuan në ndalimin e Alessio Tuccit, 18 vjeç. Sipas prokurorisë, ai e qëlloi të renë me gur në kokë katër herë, edhe pasi ajo kishte rënë në tokë pa ndjenja. Trupi i saj u fsheh më pas, ndërkohë që Tucci u kthye në shtëpi, bëri dush, hëngri dhe doli sërish, siç tregojnë prindërit e Martinas. “I zhduku rrobat e krimit, askush nuk e di ku i ka çuar”, shtoi nëna e vajzës, Fiorenza Cossentino.

Ndaj Tuccit është lëshuar një urdhër arresti për vrasje të rënduar me dashje dhe fshehje të trupit, ndërsa të premten pritet të zhvillohet seanca e konfirmimit të arrestit në gjykatën e Napolit. Autopsia që do të kryhet ditët në vijim pritet të sqarojë nëse viktima ka ndërruar jetë pas goditjes së parë apo pas të tjerave.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shprehu publikisht dhimbjen e saj: “Martina kishte vetëm 14 vjeç. Iu mor jeta nga një akt i dhunës çnjerëzor. Kemi miratuar shumë ligje për të luftuar këtë të keqe, por nuk mjafton. Duhet një ndryshim i thellë kulturor dhe shoqëror. Për Martinen. Për të gjitha”.

Ky krim mizor ka ringjallur debatin mbi dhunën ndaj vajzave të reja në Itali dhe nevojën për ndërhyrje më të ashpra ligjore dhe edukative për të parandaluar raste të tilla.