Radhë të gjata janë krijuar në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, veçanërisht në zonën neutrale në dalje nga Shqipëria drejt Maqedonisë së Veriut. Shkak për këtë fluks është kthimi i udhëtarëve që kanë kaluar fundjavën në bregdet. Radha shtrihet në katër korsi dhe pritja kalon shpesh më shumë se një orë.
Megjithëse prej dy vitesh është në fuqi një marrëveshje mes qeverive të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për një ndalesë të përbashkët kufitare, ajo nuk ka sjellë rezultate konkrete. Kontrollet vijojnë të kryhen nga të dy palët, duke krijuar vonesa të konsiderueshme. Burime pranë autoriteteve kufitare bëjnë me dije se po shqyrtohen mundësi për ndryshimin e skemës së kontrollit, në mënyrë që verifikimi të bëhet vetëm nga pala pritëse. Ndërkohë, automjete të shumta raportohen se presin mbi 40 minuta për të hyrë në territorin e Maqedonisë së Veriut.











