Kryeministri britanik Keir Starmer nënshkroi dje një marrëveshje tregtare urgjente me Donald Trump, në përpjekje për të shpëtuar industrinë britanike të makinave.
Marrëveshja, për të cilën Presidenti Trump tha se u arrit “vetëm falë Brexit-it”, do të ulë tarifat amerikane për makinat e importuara nga Britania nga 25% në 10% për 100,000 automjetet e para.
Ministrat kishin frikë se prodhuesit kryesorë të makinave po përgatiteshin të shkurtonin mijëra vende pune nëse tarifat nuk do të reduktoheshin. Burimet pohuan se Jaguar Land Rover ishte gati të njoftonte “qindra” shkurtime javën e ardhshme.
Kjo është marrëveshja e parë që SHBA nënshkruan pas tarifave të ashtuquajtura të “Ditës së Çlirimit” të Trump, që tronditën botën. Trump theksoi se shpejtësia e marrëveshjes ishte e mundur vetëm sepse Britania nuk është më pjesë e BE-së dhe la të kuptohej se prodhuesit rivalë nga vende si Gjermania nuk do të kenë të njëjtin trajtim.
Boris Johnson e përshëndeti marrëveshjen dhe ironizoi që Starmer po “mbledh frytet e Brexit-it”, të cilin ai nuk e kishte mbështetur më parë.
Tarifat për eksportet britanike të çelikut drejt SHBA do të bien nga 25% në zero, dhe ministrat britanikë pohuan se kompanitë farmaceutike do të trajtohen me përparësi nëse Trump rrit tarifat për këtë sektor.
Gjatë një bisede të filmuar me Trump, Starmer përshëndeti marrëveshjen dhe “marrëdhënien e veçantë” mes dy vendeve. Takimet për një marrëveshje më të gjerë tregtare do të vijojnë, por mund të përfshijnë lëshime të mëdha nga pala britanike, si heqja e taksës digjitale mbi gjigantët teknologjikë amerikanë apo rritja e çmimit që NHS paguan për barnat amerikane.
Trump pranoi se kishte ndërprerë Starmer-in teksa shikonte ndeshjen e Arsenalit ndaj PSG-së për të finalizuar marrëveshjen, dhe më pas Starmer mbajti një konferencë për shtyp nga një fabrikë e Jaguar Land Rover në West Midlands.
Trump tha se marrëveshja ishte e veçantë “falë Brexit-it” dhe se SHBA ishte e gatshme të bëjë lëshime për shkak të fokusit të Britanisë në automjete luksoze.
Johnson e quajti marrëveshjen një hap pozitiv, por jo një “marrëveshje të vërtetë të lirë tregtie”. Rreth 101,000 makina u eksportuan nga Britania drejt SHBA vitin e kaluar – gati 17% e totalit të eksporteve të makinave.
Ndërkohë, tarifat për eksportet e tjera britanike drejt SHBA mbeten në 10%, nga 3.4% më parë, ndërsa Britania uli tarifat e saj për mallrat amerikane nga 5.1% në 1.8%.
Ministrja Kemi Badenoch tha se Britania “u mashtrua” me këtë marrëveshje. “Kur Laburistët negociojnë, Britania humbet,” tha ajo. Deputeti i opozitës konservatore Andrew Griffith e quajti marrëveshjen një “Diet Coke” në vend të “versionit origjinal”.
Ndërkohë, SHBA do të eksportojë 13,000 ton mish viçi pa tarifa, por qeveria britanike këmbënguli se mishi me hormone dhe produktet si pula me klor nuk do të lejohen.


