Nga njëra anë “miqtë” evropianë dhe gatishmëria e re për t’i mbështetur në mbrojtjen e Ukrainës. Nga ana tjetër, Putini: është e paqartë se deri në çfarë mase cari e ka ndryshuar qëndrimin e tij.
Lajmi ishte në ajër, ai e konfirmoi. Trump pranon që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol garantues për sigurinë e ardhshme të Ukrainës. “Evropa është në vijën e parë për mbrojtjen tuaj, por ne do ta mbështesim”, tha presidenti amerikan para gazetarëve, përkrah Zelenskyt. I pyetur disa herë nga mediat për këtë çështje, ai nuk e përjashtoi as mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në terren. Por ajo që ka më shumë rëndësi — siç e dinë mirë Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, dy vendet më të gatshme për të dërguar ushtarë — është mbrojtja ajrore, kontrolli i qiellit dhe inteligjenca satelitore: aty Amerika ka një epërsi mbi të gjithë, përfshirë Rusinë. Trump bën një devijim nga linja e tij e shkëputjes nga përgjegjësitë ushtarake në Evropë. Kjo është thelbësore që evropianët të marrin përsipër një rol me rreziqe.
Shkëmbimi
Pika e nisjes është gjithmonë shkëmbimi “tokë për paqe”: koncesione territoriale, vetëm e vetëm që të ndalet lufta. Është një çmim i lartë për popullin ukrainas, një provë se “krimi shpërblehet” sepse Putini do ta shihte të shpërblyer agresionin e tij. Por ta shtysh mbrapsht ushtrinë ruse me forcën e armëve është një ëndërr në të cilën nuk beson më askush. Për të kufizuar dëmet, duhet të evitohet që një marrëveshje për fundin e armiqësive të ngjasojë me vitin 2014: Putini pushtoi Krimenë dhe Perëndimi nuk deshi ta kuptojë se ishte vetëm fillimi.