Marc Marquez është i pandalshëm! Piloti spanjoll vazhdoi dominimin absolut në sezonin 2025 të MotoGP-së duke fituar për herë të parë në pistën e Red Bull Ring në Austri dhe duke shënuar fitoren e tij të gjashtë radhazi në garat Grand Prix.
Kjo fitore i jep Marquez një epërsi të frikshme prej 142 pikësh ndaj vëllait të tij, Alex Marquez, në renditjen e përgjithshme, duke e afruar ndjeshëm me titullin e shtatë në karrierë – me plot nëntë gara të mbetura.
Pas fitores edhe në garën sprint të së shtunës, Marquez arriti “dyshen” e radhës duke mposhtur rivalët me një strategji të saktë dhe ritëm të pakrahasueshëm. Për herë të parë që prej vitit 2014, ai shënon gjashtë fitore të njëpasnjëshme në një sezon.
“Jam super i lumtur që më në fund mora fitoren e parë këtu në Austri. Gjithçka po shkon perfekt, por duhet të qëndroj i fokusuar – javën tjetër kemi një tjetër garë,” u shpreh Marquez pas garës.
Bezzecchi, që e nisi garën nga pole position dhe e udhëhoqi fillimisht, nuk arriti të mbante ritmin e kampionit, ndërsa Aldeguer i befasoi të gjithë me përfundimin në vend të dytë falë një rikuperimi të shkëlqyer në pjesën e dytë të garës.
Me formën aktuale të Marquez-it dhe përqendrimin e hekurt që po shfaq, duket se titulli i këtij sezoni është vetëm çështje kohe.