FLASH :

Mark Carney sfidon Trump: Do të negociojmë vetëm sipas kushteve tona

Ottawa/Londër – Kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney, ka deklaruar se vendi i tij “do të bisedojë me Donald Trump vetëm në kushte që respektojnë sovranitetin e Kanadasë”, duke refuzuar çdo përfshirje në negociata që vendosen njëanshëm nga Uashingtoni.

Në një intervistë ekskluzive për BBC-në, Carney tha se do të udhëtojë drejt SHBA-së “vetëm kur të ketë një diskutim serioz për të bërë”, duke theksuar se Kanadaja nuk do të pranojë asnjë trajtim si “51-shteti amerikan”.

Deklaratat vijnë pas komenteve të përsëritura të Trump, i cili ka provokuar kanadezët duke e quajtur Kanadanë “shtetin tjetër të Amerikës” dhe ish-kryeministrin Justin Trudeau si “guvernator”. Carney e quajti këtë retorikë “të papranueshme” dhe “një skenar që nuk do të ndodhë kurrë”.

Tensionet tregtare dhe sfidat me tarifat
SHBA është tregu më i madh për eksportet kanadeze – afro 75% e mallrave eksportohen në jug. Por raportet janë tensionuar rëndë nga vendosja e tarifave prej 25% për aluminin dhe çelikun kanadez nga ana e Trump, pavarësisht marrëveshjes USMCA. Kanadaja ka reaguar me tarifa hakmarrëse prej 60 miliardë dollarësh kanadezë mbi produktet amerikane.

Carney theksoi se çdo marrëveshje e ardhshme do të duhet të garantojë partneritet ekonomik dhe të sigurisë “të barabartë dhe të respektueshëm”. Ai nënvizoi se përveç SHBA-së, Kanadaja synon të forcojë tregtinë me BE-në dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Një lider i ri me përvojë ekonomike globale
I zgjedhur pas një fitoreje historike për liberalët në zgjedhjet e parakohshme të së hënës, Carney është ish-guvernator i Bankës së Kanadasë dhe i Bankës së Anglisë, me përvojë të thellë në menaxhimin e krizave ekonomike.

“Ne u ofrojmë amerikanëve energjinë jetike dhe plehrat për bujqësinë. Meritojmë respekt dhe do ta marrim përsëri,” tha ai.

Samiti i G7 dhe testimi i aleancave perëndimore
Carney tha se samiti i G7-ës që do të mbahet në qershor në Kanada do të jetë “vendimtar” për të ardhmen e luftës tregtare globale. “Ky do të jetë një test nëse G7 është ende grupi i vendeve vërtet të njëjta në vlera,” tha ai.

Samiti vjen pak para përfundimit të pezullimit 90-ditor të tarifave më të larta të vendosura nga Trump – një afat që mund të rikthejë përplasjen tregtare në nivelin më të lartë.