FLASH :

Mali i Zi nis prodhimin e dronëve luftarakë në bashkëpunim me SHBA, seria e parë dhurohet për Ukrainën

Qeveria e Malit të Zi ka miratuar nisjen e një projekti ambicioz për prodhimin e dronëve pa pilot në bashkëpunim me një kompani amerikane, duke synuar që seria e parë e këtyre mjeteve të dhurohet për Ukrainën. Iniciativa e re, e cila sipas autoriteteve malazeze përputhet me orientimin strategjik të vendit dhe forcon industrinë vendase të mbrojtjes, pritet të transformojë Malin e Zi në një furnizues të teknologjisë moderne ushtarake.

Në një dokument zyrtar, Qeveria e Podgoricës thekson se ky projekt do të përmirësojë kapacitetet e Ushtrisë së Malit të Zi në raport me NATO-n, do të mbështesë nevojat mbrojtëse të Ukrainës dhe do të forcojë pozicionin ndërkombëtar të vendit në tregun global të mbrojtjes.

Marrëveshja, e cila kap vlerën deri në 15 milionë dollarë dhe do të mbështetet nga administrata amerikane e Donald Trump, parashikon që fondet të sigurohen nga ndihma që SHBA ka alokuar për ushtrinë malazeze.

Ambasada e SHBA: Mali i Zi po tregon seriozitet në aleancë

Ambasada amerikane në Mal të Zi ka vlerësuar këtë investim si një tregues të përkushtimit të vendit ndaj NATO-s. “Investimet në sistemet ajrore pa pilot tregojnë seriozitetin e Malit të Zi në përmbushjen e detyrimeve ndaj Aleancës”, thuhet në një reagim të ambasadës, duke shtuar se SHBA pret që vendet aleate të rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5 për qind të PBB-së, në përputhje me qëndrimet e presidentit Trump.

Letër-qëllimi për dronët, kontrata pritet në shtator

Në seancën e 29 majit, Qeveria miratoi një letër-qëllimi për investimin në prodhimin dhe eksportin e sistemeve pa pilot, e cila do të nënshkruhet nga zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj dhe drejtori i kompanisë amerikane By Light Professional IT Services LLC., Robert J. Donahue. Kontrata përfundimtare pritet të nënshkruhet në shtator.

Ende nuk dihet ku do të ndërtohet fabrika dhe kur nis prodhimi, por Qeveria ka nisur përgatitjen e një ligji për armët dhe materialet ushtarake, që do të jetë gati deri në fund të vitit.

Bashkëpunim me kompani vendase

Në projekt do të përfshihen edhe kompani malazeze si Tara Aerospace nga Mojkovci dhe Poliex nga Beranja, të specializuara në teknologji ajrore dhe eksplozivë. Të dyja këto kompani janë privatizuar pjesërisht, por shteti ka ruajtur një pjesë të aksioneve dhe të dyja kanë raportuar miliona euro fitime gjatë vitit të kaluar.

Dronët që fluturojnë deri në 10 orë

Kompania amerikane By Light ofron katër lloje dronësh, përfshirë modelin më të avancuar HALO-6 VTOL, i cili mbart deri në 27.2 kilogramë ngarkesë dhe mund të qëndrojë në ajër deri në 10 orë. Kompania ofron gjithashtu trajnime për pilotë dronësh dhe ka kontrata të shumta me institucionet amerikane.

Ukraina, përfituese e parë e dronëve

Mali i Zi ka konfirmuar se seria e parë e dronëve dhe pajisjeve shoqëruese do t’i dhurohen Ukrainës, si pjesë e mbështetjes përballë agresionit rus. Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, Podgorica ka ofruar ndihmë ushtarake në vlerë 11.3 milionë euro, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka strehuar qytetarë ukrainas.

Së fundmi, Mali i Zi dhe Ukraina kanë rënë dakord për një marrëveshje dhjetëvjeçare bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, e cila përfshin ndihmë në rast lufte, rindërtim dhe bashkëpunim inteligjence. Marrëveshja pritet të nënshkruhet së shpejti, duke ndjekur shembullin e mbi 30 vendeve të tjera, kryesisht anëtare të NATO-s.