FLASH :

Makthi i ri i Tesla: Donald Trump

Nga një rënie drastike e shitjeve, te mungesa e modeleve të reja dhe imazhi i dëmtuar publik, Tesla tashmë po përjetonte një krizë. Por tani, përplasja e drejtpërdrejtë mes Elon Musk dhe Donald Trump e ka shndërruar këtë krizë në një katastrofë të afërt. Ish-aleatët janë kthyer në armiq publikë, dhe kjo përplasje po ndikon rëndë në të ardhmen e kompanisë.

Presidenti Trump, i njohur për mbajtjen e inateve dhe hakmarrjen me mjetet e shtetit, ka në dorë gjithë arsenalin e administratës federale. Ai mund të intensifikojë hetimet mbi autopilotin dhe sistemin Full Self-Driving të Tesla-s – të cilat janë lidhur me aksidente fatale – si dhe të kërkojë nga Komisioni i Letrave me Vlerë (SEC) të shqyrtojë deklaratat publike të Musk mbi kompaninë. Një tjetër shigjetë në kuarcin e Trump është prodhimi i Tesla-s në Kinë, që mund të vihet nën mikroskop politik.

Kjo përplasje shpërtheu publikisht pas kritikave të ashpra të Musk ndaj projektbuxhetit “One Big Beautiful” të Trump, që pritet të rrisë borxhin federal me triliona. Në një betejë të ndezur mes platformave X dhe Truth Social, Musk sugjeroi se Trump nuk do të kishte fituar kurrë pa ndihmën e tij dhe hodhi idenë e impeachment. Trump, nga ana tjetër, u përgjigj me kërcënime për ndërprerjen e subvencioneve dhe kontratave federale për kompanitë e Musk – veçanërisht SpaceX – duke përfshirë edhe zëra për hetim të origjinës së tij si imigrant nga Afrika e Jugut.

Aksionet e Tesla-s u shembën me 14% në një ditë
Ky konflikt prodhoi pasoja të menjëhershme. Aksionet e Tesla-s ranë me 14% në një ditë, duke i zhdukur 152 miliardë dollarë nga kapitalizimi i tregut – më shumë se vlera totale e kombinuar e Ford, General Motors dhe Stellantis. Vetëm këtë vit, aksionet e Tesla-s janë ulur me 30%.

Shumë investitorë besonin se marrëdhënia Musk-Trump do të përkthehej në politika të favorshme për Tesla. Por me prishjen e kësaj aleance, administrata ka rifilluar sulmet ndaj makinave elektrike dhe po përpiqet të anullojë kreditë tatimore për blerësit e tyre, si dhe stimuj të tjerë për prodhimin e baterive dhe projekteve të energjisë së pastër.

“Me Musk që del kundër Trump dhe shumicës republikane, është shumë e vështirë që Kongresi të mbajë ndonjë formë të kreditit tatimor për EV-të, thjesht për t’i bërë qejfin Teslës”, tha Loren McDonald, analist i industrisë.

Robotaksitë në rrezik dhe hetimet që ringjallen
Një tjetër front i ndjeshëm për Musk është projekti i robotaksive, që pritet të nisë këtë muaj në Austin. Edhe pse nuk ka rregullore federale për to, agjencia NHTSA është duke mbledhur informacion, dhe Trump mund të ushtrojë presion ndaj guvernatorit të Teksasit, Greg Abbott, për ta bllokuar.

“Gjithçka që Elon mendonte se ishte mbyllur, mund të rikthehet fuqishëm në skenë,” tha një ish-drejtor i industrisë së makinave.

Një nga investitorët më të zëshëm, Ross Gerber, ironizoi situatën duke shkruar: “Trump do ta kthejë Teslën e re që bleu dhe do të thotë ‘u mashtrua nga Musk’. A mund ta heqë ndokush telefonin nga dora e tij, të lutem? Tesla po shkatërrohet.”

Një CEO i pakontrolluar, një president hakmarrës
Sjellja impulsive e Musk në publik ka sjellë probleme edhe më parë, përfshirë gjoba nga SEC dhe humbjen e pozicionit si kryetar bordi pas një tweet-i të rremë në 2018 për blerjen e Tesla-s me fonde të siguruara. Tani, me një president që nuk fal dhe nuk harron, këto kriza të mëparshme duken si paradhomë e një goditjeje më të madhe.

“Trump mund të ngadalësojë gjithçka – nga projektet autonome te kontratat qeveritare. Mund të mos jetë fundi për Tesla, por është fillimi i një kapitulli të errët për kompaninë dhe për Musk,” paralajmëroi McDonald.

Ndërkohë që dy nga figurat më të fuqishme të biznesit dhe politikës amerikane përplasen si “dashnorë të ndarë”, siç e përshkruajnë disa, Tesla mund të jetë viktima më e madhe e kësaj beteje personale me pasoja miliarda dollarëshe.