FLASH :

Makth në rrjet / Influencerja humbet gjurmët pas videos së frikshme duke qarë me grim kllouni

Një influencere e njohur mode ka humbur pa gjurmë në Meksikë, vetëm pak orë pasi publikoi një video rrëqethëse ku shfaqej duke qarë me grim kllouni.

Flor Marian Izaguirre Pineda, e njohur si Marian Izaguirre, 23 vjeç, u pa për herë të fundit rreth orës 18:00 të datës 1 shtator në qytetin Uruapan, në perëndim të Mexico City. Me gati 4 milionë ndjekës në TikTok, ajo nuk ka dhënë më asnjë shenjë jete që prej atij momenti.

Një ditë më parë, Izaguirre kishte publikuar në Instagram dhe TikTok një video tronditëse, ku ulërinte nga lotët me fytyrën e lyer si klloun, teksa këndonte këngën emocionale . Pas këtij postimi, të gjitha rrjetet e saj sociale mbetën të heshtura.

Autoritetet meksikane kanë aktivizuar Alba Alert , protokollin emergjent për gratë e zhdukura dhe kanë konfirmuar se influencerea e re “mund të jetë viktimë e një krimi”. Hetimet po drejtohen nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit Michoacán.

Ndjekësit e saj kanë shpërthyer në komente emocionuese nën videon e fundit: “Shpresoj të jesh mirë dhe të rikthehesh shpejt”, shkruan njëri, ndërsa të tjerë bëjnë thirrje: “Duam të kthehesh e gjallë!”.

Flor Izaguirre kishte nisur së fundmi edhe një rrugëtim muzikor me emrin artistik Flor Izaguirre, duke publikuar këngën debutuese “Boom Boom” në korrik 2023.

Zhdukja e saj ndodh vetëm disa ditë pas vrasjes makabre të një tjetër influencereje meksikane, Esmeralda Ferrer Garibay, 32 vjeç, e cila u gjet e mbështjellë me plastikë në një furgon, bashkë me trupin e burrit dhe dy fëmijëve të saj.

Edhe pse autoritetet nuk kanë gjetur lidhje mes dy rasteve, fakti që të dyja ishin influencere dhe u zhdukën në të njëjtin shtet problematik, ka shtuar ndjeshëm shqetësimin publik.

Policia u bën thirrje qytetarëve që të japin çdo informacion mbi vendndodhjen e saj, ndërsa hetimet vazhdojnë.