FLASH :

Maksi Cami/Si ta lexojmë turizmin: Biznesi i ka kryer detyrat, shteti jo

Nga Maksi Cami

Nëse turizmi shqiptar do të kishte një metaforë, ajo do të ishte kjo: një makinë e bukur, e re, me motor të fuqishëm por që ka ngecur ne marshin e parë, sepse dikush ka harruar të shtypë freksionin. Dhe ky “dikush”, si gjithmonë, është shteti. Nëse ka një sektor ku Shqipëria është vetëmbajtur ekonomikisht këto vitet e fundit, ai është turizmi. Ai u ngrit nga poshtë, nga iniciativat private që investuan pa garanci, pa mbështetje parash publike, pa politika lehtësuese dhe pa një infrastrukturë moderne në dispozicion. Nga gjiri i Lalzit ne Theth, nga Vlora ne Pogradeci, hotelet, bujtinat, resortet, baret, guidat, operatorët turistikë, janë ndërtuar me djersë dhe shpesh me kredi të guximshme, pa dijen se a do të kishin mbështetje institucionale apo thjesht një tjetër sezon rrëmuje.
Biznesi privat e ka bërë të vetën. Me shumë mund, me kredi, me improvizim dhe ne fillimet e viteve 2000 pa asnjë rrugë të shtruar, mijëra sipërmarrës kanë ngritur një sektor që sot mban në këmbë ekonominë shqiptare. Nga një dhomë bujtine në Theth, te një rooftop bar në Sarandë, nga një vilë e vogël në Ksamil, te një resort me standarde europiane në Shëngjin turizmi është rritur jo sepse u planifikua mirë, por sepse nga qejfi apo nga halli, shqiptarët janë më të zotë se qeveritë që i drejtojnë. Por këtu nis dhe problemi. Sepse ndërsa këta shqiptarë po përpiqen ta bëjnë Shqipërinë një vend ku ia vlen të vish, qeveria po e sheh këtë rritje si një statistikë për t’u lavdëruar dhe jo si një emergjencë për t’u menaxhuar.
Po të shohësh shifrat, duket sikur gjithçka shkon vaj. Në pesë muajt e parë të këtij viti, mbi 3.4 milionë turistë të huaj kanë hyrë në vend, 3.9% më shumë se vjet. Nga India, Kina, Izraeli, Egjipti, e deri në Gjermani e Zvicër, Shqipëria po shndërrohet në një vend gjithnjë e më të njohur në hartën globale të pushimeve. Dhe është e kuptueshme: peizazhet janë magjepsëse, njerëzit mikpritës, çmimet të përballueshme. Një Mesdhe i egër dhe i pastër, ende pa prishur nga komercializmi i rëndomtë.
Por pastaj çfarë i takon shtetit, shkon keq. Rrugë të bllokuara me orë të tëra. Autobusë pa kondicionerse ska kontroll. Stacione autobusi që s’i gjen dot as vendaliu. Sinjalistikë që duket sikur e ka vendosur një arkeolog. Trafik që nis nga Plepat dhe nuk mbaron as në Qafë-Kashar. Aeroport që s’e përballon dot fluksin. Dhe një shtet që nuk shfaqet gjëkundi, përveçse kur duhet të publikojë një spot ne rrjete.
Të gjithë flasim për ambicien për të arritur 30 milionë turistë në vitin 2030. Por askush nuk flet për planin. A ka Shqipëria një strategji kombëtare për të përballuar këtë rritje? A ka një vizion për transportin publik? A do të ketë ndonjëherë një linjë treni që të të çojë nga Tirana në Sarandë siç ndodh në çdo vend normal të Mesdheut? Apo do të vazhdojmë të shtiremi si “eksperiencë autentike” kur realisht kemi vetëm rrëmujë të menaxhuar keq?
Sepse po, Shqipëria është e bukur por bukuria vetë nuk mjafton. Një turist që vjen për herë të parë mund të mahnitet. Por ai që vjen për herë të dytë, vjen me kujtime dhe me pritshmëri. Dhe kur gjen sërish kaos, bezdi, mungesë standardesh dhe arrogancë institucionale, nuk kthehet më. Dhe më keq akoma nuk na bën më reklamë.
Për të mos i marrë pastaj destinacionet me radhë, si mushkonjat e Divjakës që asnjëherë nuk dezinsektohen me kohë, sepse fondet “avullojnë” në rrugë e sipër. Çdo plazh dhe çdo mal ka “mushkonjat” e veta, jo vetëm ato që pickojnë turistin, por edhe ato që vijnë nga mungesa e investimeve, nga paaftësia për të mbajtur mjedisin, nga dështimi për të bërë detyrat më bazike të një shteti funksional. Meqenëse ra fjala, sot çdo biznes në Divjakë shpenzon çdo ditë për helme kundër insekteve, ndërsa qeveria e bën dezinsektimin një herë kur mbaron sezoni. As ky problem minimal nuk menaxhohet siç duhet, dhe ne duam të menaxhojmë 30 milionë turistë në vit? Me çfarë infrastrukture? Me cilët njerëz? Me cilat standarde?
Pa rrugë që funksionojnë, pa transport publik që të respektohet, pa plane serioze dhe pa bashkëpunim real me sipërmarrjen, turizmi shqiptar rrezikon të bëhet viktimë e suksesit të vet. Kur fluksi nuk kanalizohet, kthehet në përmbytje. Shqipëria, në vend që të jetë një destinacion i ëndërruar, mund të bëhet një eksperiencë që nuk do ta përsërisësh. Ka ardhur koha që shteti të ngrihet nga shezlongu dhe të punojë njëlloj si ata që prej vitesh e kanë ngritur këtë sektor me duar, me mend dhe me guxim. Sepse Shqipëria nuk mund të ecë gjatë me një marsh të parë. Dhe sigurisht, nuk shkohet në Europë me motor turizmi e rrota propagande.