Është për të ardhur keq, që në kulmin e fushatës, atëhere kur duhet të jepnin një alternativë të qartë, të ngjallnin shprese, besim dhe të ishin në ofensvive me thikë nëpër dhëmbë, për të fituar betejën elektorale dhe zgjedhjet, lideri suprem dhe i dashur i PD, Sali Berisha, thirri dje një konferencë për shtyp “mbrojtëse”, ku mbrojti nga fillimi në fund fondet 6 milionë dollarë për kontratën e loibimit të tij me Chris La Civita në Shtetet e Bashkuara.
Kjo psikozë dorëzimi, frike dhe mbrojtjeje e liderit është e shtrirë gjerë në të gjitha strukturat e tjera.
Në fakt, kandidatë për deputetë, drejtues fushate dhe funksionarë të PD në qytete dhe qarqe të ndryshme, vazhdimisht, në vend që të lëshojnë kumtin e fitores, kanë nisur të ankohen dhe të denoncojnë ato që sipas tyre janë padrejtësi që po i bën pushteti.
Denoncimet se natën në Elbasan apo Mat lëvizin fuoristrada të zëza të stilit mafioz, se zyrës në Cërrik ju vodh një TV dhe se patronazhistët po përndiqkan këmba këmbës demokratët në çdo cep e skutë të errët të vendit, më shumë se sa krijojnë imazhin e një qeverie totalitare dhe autoritare, po krijojnë një alibi opër humbjen e pritshme. Pra një fakt-mbledhje pak nga pak çikërrimash për të justifikuar humbjen.
Nëse PS ka më shumë makina të zeza se PD, nëse PS di ti rtuaj zyrat dhe PD jo dhe nëse patronazhistët e PS dinë të ndjekin këmba këmbës më mirë se sa patronazhistët e PD, atëherë kjo do të thotë se përballë kemi një makineri elektorale që funksionon, përballë një tjetre të cilës i ka mbaruar karburanti.
Në këtë pikë, mandatin e katërt Ramës, nuk ja heqin dot justifikimet që PD po krijon për humbjen, por vetëm ndonjë forcë madhore e paparashikuar.







