Një incident i rëndë ka ndodhur gjatë paradës së fitores së Liverpool FC në Premier League, kur një automjet u fut mes turmës së tifozëve në qendër të qytetit. Si pasojë, 27 persona u dërguan në spital, përfshirë një fëmijë me lëndime të rënda, ndërsa 20 të tjerë morën trajtim në vendngjarje. Katër fëmijë janë mes të plagosurve.
Autoritetet britanike theksuan se ngjarja nuk po trajtohet si akt terrorist. Shoferi, një 53-vjeçar britanik, është arrestuar. “Besojmë se është një incident i izoluar dhe nuk po kërkojmë të dyshuar të tjerë”, deklaroi për mediat zyrtarja e policisë, Jenny Sims.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi ngjarjen si “tronditëse”, duke falënderuar ekipet e emergjencës për ndërhyrjen e menjëhershme dhe u bëri thirrje qytetarëve të lënë hetuesit të bëjnë punën e tyre.
Liverpool FC konfirmoi bashkëpunimin me policinë dhe shprehu solidaritet me të prekurit: “Mendimet tona janë me të plagosurit dhe familjet e tyre”, thuhet në deklaratën e klubit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë kaos dhe panik. Dëshmitarët okularë përshkruan njerëz që vraponin në panik dhe që u përpoqën të ndalonin makinën. “Makina kaloi vetëm pak centimetra larg vajzës sime”, tregoi gazetari i BBC-së, Matt Cole, që ndodhej në paradë me familjen.
Ngjarja tronditëse ka trazuar komunitetin në Liverpool dhe ka ndezur diskutime për masat e sigurisë gjatë eventeve masive. Autoritetet vijojnë hetimet.












