Një incident i rëndë ndodhi mesditën e sotme në kryqëzimin e rrugës “5 Maji”, pranë zonës së spitaleve në kryeqytet, ku një automjet u përfshi nga flakët, duke shkaktuar panik dhe kaos të madh në zonë.
Sipas burimeve të para, flakët janë përhapur me shpejtësi në automjet dhe më pas në zonën përreth, duke alarmuar kalimtarët dhe duke shkaktuar një situatë emergjente. Dëshmitarët raportuan për disa shpërthime të forta, çka ka ngritur dyshime se makina mund të ketë qenë e pajisur me impiant gazi.
Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare mbi rrethanat e ngjarjes. Megjithatë, zjarri është konsideruar i rrezikshëm për shkak të mundësisë së shpërthimeve të tjera dhe afërsisë me ndërtesat e spitaleve.
Zjarri ka alarmuar banorët dhe kalimtarët e zonës, ndërsa zjarrfikësit kanë mbërritur me shpejtësi në vendngjarje dhe po punojnë për shuarjen e flakëve dhe evitimin e ndonjë pasoje më të rëndë.
Për momentin nuk raportohet për të lënduar, ndërkohë që hetimet për shkaqet e zjarrit kanë nisur.