Nëse mendoni se keni parë makina të vogla, prisni derisa të shihni këtë: një Fiat Panda elektrike e modifikuar që është vetëm 50 centimetra e gjerë, më e hollë se shumë biçikleta! Kjo makinë e pazakontë u prezantua në një festival në qytetin italian Pandino, në kuadër të 45-vjetorit të modelit Panda, dhe po bën xhiron e rrjeteve sociale për pamjen e saj të jashtëzakonshme.
Makina është punuar me dorë nga mekaniku 30-vjeçar Andrea Marazzi, duke përdorur materiale nga një model origjinal i vitit 1993. Ajo është e pajisur me timon, pasqyra anësore, sinjalistikë, madje edhe me një sedilje të pasme për një pasagjer shumë të hollë – ose një fëmijë. E pajisur me motor elektrik dhe bateri 24V, ajo arrin një shpejtësi maksimale prej vetëm 15 km/h, çka e bën të papërshtatshme për rrugët publike, por perfekte për hapësira të ngushta parkimi.
Edhe pse të shumtë janë ata që e konsiderojnë një “eksperiment artistik” më shumë sesa një zgjidhje reale transporti, Marazzi synon të regjistrohet në Guinness World Records si makina funksionale më e ngushtë ndonjëherë e ndërtuar. Ndërkohë, komentet online janë përzier: nga “makina që mund të hyjë në korsinë e biçikletave”, deri tek krahasimet me Mr. Bean apo Flintstones.
Pavarësisht gjithçkaje, makina është një shembull unik i kreativitetit mekanik dhe një provë se e ardhmja e mjeteve urbane ndoshta do të jetë më… e hollë se kurrë më parë.










